Sport

Gërxhaliu: Ëndërroj të luaj në Evropian me Kosovën


Futbollisti i Antalyaspor-it, Amar Gërxhaliu, u prit sot (e marte, 13 shkurt) nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe bashkëpuntorët e tij.

Pas tërmetit të fuqishëm në Turqi, kampionati atje është pezulluar përkohësisht, prandaj Gërxhaliu ka shfrytëzuar rastin që të vijë për pushime disa ditore në vendlindje.

Ai aktualisht është pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, derisa në të ardhmen pritet të jetë edhe pjesë e Kombëtares A, pasi vlerësohet si lojtar me potencial të madh në repartin e mbrojtjes.

Presidenti Ademi e përgëzoi Gërxhaliun për paraqitjet e tij të deritashme dhe e inkurajoj që të vazhdojë të punojë maksimalisht për ta mbajtur formën dhe për të dëshmuar vlerat e tij.

Nga ana e tij, Gërxhaliu u shpreh mirënjohës për pritjen e ngrohtë dhe theksoi se objektivi i tij është që në të ardhmen të jetë pjesë e Kombëtares A të Kosovës.

“Jam i lumtur dhe falënderues për takimin që pata me presidentin Ademi dhe me bashkëpunëtorët e tij në FFK. Normalisht që në këtë takim biseduam për paraqitjet e mia me ekipin kombëtar”, theksoi fillimisht Gërxhaliu.

“Jam i lumtur që jam pjesë e Kosovës dhe kam dëshirë të vazhdoj të luaj me fanellën e Kosovës. Aktualisht jam pjesë e ekipit U21, por mezi po pres të luaj sa më shpejtë edhe me ekipin A”, ka theksuar 20-vjeçari pas takimit me kreun e FFK-së.

Ai ka thënë se vendimi për të luajtur për Kosovën nuk ka qenë i ngutshëm, por ishte një ëndërr e bërë realitet.

“Si çdo kosovar që është rritur në Kosovë, ashtu edhe unë e kam pas ëndërr të luaj për kombëtaren, prandaj nuk e kam pasur shumë të vështirë të vendosi të luaj për Kosovën”, ka shtuar ai.

Mbrojtësi 20-vjeçar tutje ka folur edhe për paraqitjet e tij në kampionatin turk, i cili në ndeshjet e fundit ka pasur minuta në dispozicion.

“Aktualisht po ndihem shumë mirë me ekipin e Antalyaspor dhe tashmë kam filluar të luaj në Superligë, ku në tri ndeshjet e fundit kam pasur minutazhë, kurse paraprakisht luaja vetëm në ndeshjet e Kupës”, tha mbrojtësi kosovar.

“Besoj që në ato ndeshje e kam treguar vetën dhe e kam bindur trajnerin Sahin se e meritoj të luaj edhe në Superligë, e më pas ai më dha mundësinë që të jem titullar”, është shprehur Gërxhaliu.

Ndonëse aktualisht është i lumtur që luan në elitën e futbollit turke, si çdo futbollist tjetër edhe Amari synon që në të ardhmen të jetë pjesë e top-ligave evropiane.

“Si çdo futbollist që rritet në Kosovë edhe për mua gjithnjë synimi ka qenë që të luaj në klubet evropiane dhe jam në atë rrugë”, theksoi 20-vjeçari.

“Besoj që do të arrij të realizoj atë ëndërr, por patjetër që ëndërr e madhe për mua mbetet edhe të jem pjesë e ekipit të Kosovës në çdo grumbullim e pse jo që me Kosovën të shkoj edhe në Euro 2024”, ka përfunduar Gërxhaliu.

Ai në edicionin 2021/22 ishte pjesë e Vushtrrisë, teksa verën e kaluar u transferua në skuadrën elitare të futbollit turk.

Me skuadrën turke, Gërxhaliu deri më tani ka luajtur në gjashtë ndeshje në total (nga tre në kupë dhe në ligë).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore