Sport

Kupa e Shqipërisë: Nuk ka surpriza, të mëdhatë kalojnë në çerekfinale


Kupa e Shqipërisë ka zhvilluar gjashtë nga tetë ndeshjet e kthimit të raundit të 16-ve. Tirana, Partizani, Kukesi, Kastrioti, Egnatia dhe Laçi janë kualifikuar në çerekfinale.

Tirana mundi Lushnjën 1-0 me golin e Regi Lushkja. Bardheblutë fituan edhe ndeshjen e parë, në shifrat 3-0.

Partizani mundi 3-0 Korabin, me golat e Eljon Sota, Victor da Silva dhe Ëngjëll Hoti. “Demat e Kuq” triumfuan 3-1 në takimin e parë të zhvilluar në Peshkopi.

Laçi mundi 2-0 Tomorin, me golat e Ortelio Biba dhe Olsi Myrta. Kurbinasit kishin fituar edhe në ndeshjen e parë në Berat me shifrat 3-1.

Kukësi “shpartalloi” 5-0 Apoloninë, me golat e Ergys Peposhit, Gabriel Barbosa, Fluturim Domi (dy gola) dhe Jakup Berisha. Verilindorët në takimin e parë të luajtur në Fier kishin barazuar pa gola.

Egnatia barazoi 1-1 me Skënderbeun. Për vendasit shënoi Fernando Medeiros. Për miqtë ishte një autogol nga Michael Agbekpornu. Rrogozhinasit u kualifikuan më tej pas fitores minimale 1-0 në ndeshjen e parë në Korçë.

Kastrioti dhe Dinamo barazuan me rrjeta të paprekura. Krutanët kalojnë në raundin tjetër falë fitores 3-1 në takimin e parë.

Dy ndeshjet e fundit do të zhvillohen të premten e 3 shkurtit. Vllaznia pret Bylisin, ndërsa Teuta ndeshet me Erzenin. Shkodranët fituan 2-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Ballsh. Kurse, takimi tjetër përfundoi në barazim 1-1.

Skuadrat e kualifikuara në Grupin A

Tirana

Partizani

Kastrioti

Vllaznia/Bylis*

Skuadrat e kualifikuara në Grupin B

Laçi

Kukësi

Egnatia

Teuta/Erzeni*

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore