Shqipëria

INSTAT: Rritet papunësia me 0.6%


Instituti i Statistikave (INSTAT), në raportin e publikuar për papunësinë, pagat dhe tregtinë me pakicë, tregon se shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,6 pikë përqindje, në vitin 2020. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje.

Në tremujorin e katërt 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri ishte 11,8%.

Sa i përket punësimit, në terma vjetorë, është ulur me 2,8% në sektorin e bujqësisë, me 5,3% në sektorin e shërbimeve dhe me 0,5% në sektorin e industrisë. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,2 %.

Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2019 në tremujorin e katërt të vitit 2020, është -3,4 %. Punësimi u rrit në sektorin e industrisë dhe bujqësisë përkatësisht me 1,4% dhe 1,0%, ndërsa pësoi ulje në sektorin e shërbimeve me 6,4%.

Statistikat e pagave

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2020, ishte 54 mijë e 951 lekë, me një rritje 2,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Gjatë tremujorit të katërt 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit ishte 2,1 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar.

Gjatë tremujorit të katërt 2020, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka pasur rritjen më të madhe prej 4,5%, ndërsa në grup-aktivitetin bujqësia, pyjet dhe peshkimi1 është ulur me 7,5%.

 

Tregtia me pakicë

Shitjet në volum në tregtinë me pakicë në 2020-n u rritën 2,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e katërt 2020 u rrit me 3,8 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019.

Ndërsa në tremujorin e katërt 2020, volumi i shitjeve, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, u rrit me 1,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore