Që nga momenti kur Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara emëroi Jack Smith’in si këshilltarin special për ta hetuar ish-presidentin, Donald Trump, ka pasur dhjetëra kontekstualizime të trashëgimisë së Smith’it gjatë kohës sa drejtonte zyrën e Prokurorisë Speciale në Hagë ku po hetohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tabloidi amerikan “Daily Beast” i ka kushtuar një artikull aftësisë së Smith’it për të ndjekur penalisht Trump’in duke u nisur nga fakti se në katër vjet e diçka më shumë si kryeprokuror i Gjykatës Speciale, do të mbahet mend për një numër skandalesh.
Por, ndaj këtij artikulli ka reaguar edhe ish-përfaqësuesi i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, i cili përmes një sërë cicërimash në rrjetin social Twitter ka theksuar se përveç që ky artikull ka informacione të pasakta, aktakuza ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në qershor të vitit 2020, u ngrit vetëm që t’ia pamundësonin atij takimin me Trump’in.
Sipas tij, aktakuza ndaj Thaçit është ngritur në momentin vendimtar kur administrata e Trump po negocionte një marrëveshje finale me Serbinë dhe rrjedhimisht, Smith do të mbetej pa pozitën e Prokurorit të Gjykatës Speciale.
“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në Hagë pas 2 vitesh të manipulimeve politike të Jack Smith – ai e paditi Thaçin vetëm pasi u informua nga Departamenti i Drejtësisë se palët ranë dakord t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smith do të humbiste punën e tij”.
“Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë të Trump për të përfunduar marrëveshjen përfundimtare”, pohoi Grenell.
Ndërkaq, pasi dha argumentet e tij, duke përdor një shprehje tallëse për autorin e artikullit, Jose Pagliery, Grenell shkroi: “Jose, mëso të kodosh”.
“Akuzat nuk kanë detaje – as data, as emra. Të gjitha spekulime politike. 20 vjet më vonë, dekada hetimesh – dhe asnjë detaj mbi akuzat?”
“Turp për të gjithë gazetarët e Uashingtonin që nuk mund të bëjnë gazetari bazike – sepse nuk iu përshtatet narrativës së tyre. Ata kontribuojnë në paligjshmërinë dhe përkeqësimin e Drejtësisë. Është e turpshme për gazetarinë”, shtoi Grenell.
Ndryshe, Smith tani është ftuar për të mbikëqyrur hetimet në lidhje me ruajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare në resortin Mar-a-Lago të Trump dhe pjesë të kryengritjes së 6 janarit 2021.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Gazetarja kineze e burgosur për raportim të COVID-19 në Wuhan do të lirohet, pas katër vitesh burgosje
-
Hamasi publikon videon e re të pengut izraelit, Nadav Popplewell
-
Tusk zotohet të forcojë sigurinë në kufirin e BE-së me Bjellorusinë
-
Refuzimet për takim, Kurti: Mendova se është më së mirë të takohemi të gjithë së bashku