Kurti merr përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten është takuar me ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty me të cilin ka diskutuar për çlirimin, shtetndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e Kosovës.
Përmes një komunikate për media është thënë se Kurti e ka njoftuar ministrin Docherty për zhvillimet e fundit, por veçanërisht për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
“Ndër të tjerash, kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Docherty me zhvillimet e fundit, ku veçoi dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Kosovës iu dha mbështetje nga Mbretëria e Bashkuara për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në këtë mes, u theksua përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i mirë në fushën e sigurisë”.
Përveç kryeministrit Kurti, në këtë takim mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 15 dhjetor ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka bërë një përllogaritje të kohës që u ka marrë vendeve të ndryshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga momenti i aplikimit deri te pranimi dhe beson se Kosovës i duhen diku rreth nëntë vjet, si kohë mesatare e pranimit të shteteve në union.
Matematikën e tij e ka prezantuar në momentin kur zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për Bashkim Evropian, në një konferencë për media me ministrin e Republikës së Çekisë për Çështje Evropiane Mikulash Bek.
“BE është destinacion që synojmë dhe fati që përqafojmë, ndërsa BE-ja paraqet punën e zellshme që duam të gëzojmë. Ka vende si Suedia që u ka zgjatuar tri vjet koha nga aplikimi deri te pranimi dhe ka të tjera si Malta që u ka zgjatuar 14 vjet. Prandaj, një mesatare prej nëntë vjetësh është reale për republikën e Kosovës që ta paguajë për anëtarësim”, tha Kurti.
Dorëzimi u bë në Pragë, në kryeqytetin çek, meqë presidencën e Këshillit Evropian, sipas rrotacionit gjashtëmujor, e mban aktualisht Republika e Çekisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Rishfaqet qyteti shekullor teksa diga e Filipineve thahet gjatë valës së të nxehtit
-
Të ardhurat e Apple bien më pak nga sa pritej, pavarësisht fillimit të vështirë të vitit
-
14 ditët e fundit të regjistrimit të popullsisë – 1 milionë qytetarë u regjistruan
-
Ekspertët të shqetësuar për variantin e ri KP.2 të COVID në SHBA