Lajme

EuroPravda: Hakmarrja e forcave pro-serbe – devijim në rrugën evropiane të Malit të Zi


Foto nga arkivi/Protesta në Malin e Zi

Koalicioni që fitoi pushtetin në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi në vitin 2020 premtoi të vazhdojë kursin e tij properëndimor, megjithatë, ngjarjet kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë, shkruan “EuroPravda“, portali më i rëndësishëm ukrainas për çështjet ndërkombëtare.

Në analizën e titulluar: “Kryq mbi ambiciet evropiane: ku do ta çojë Malin e Zi hakmarrja e forcave pro-serbe” thuhet se “marrëdhëniet e Podgoricës me BE-në dhe NATO-n janë përkeqësuar ndjeshëm; dhe pika e fundit ishte vetëm miratimi formal i sanksioneve kundër Federatës Ruse, por pa zbatim të këtij vendimi”.

“Nëse më herët supozime të tilla bëheshin vetëm nga politikanë dhe ekspertë të caktuar, tani diplomatët evropianë e deklarojnë drejtpërdrejt. Dhe kështu, situata duket vërtet jashtëzakonisht alarmante”.

Për zgjedhjen e mundshme të Miodrag Lekiç’it si kryeministër i ri, portali vlerëson se “duhet të pajtohemi me opozitën malazeze që qeveria, për të cilën koalicioni qeverisës ra dakord pa kompetencat kushtetuese të kreut të shtetit, të njihet si legjitime vetëm në Beograd. Le të shtojmë – edhe në Moskë”.

Po ashtu, thuhet se “kryeministri aktual me mandat teknik (Dritan) Abazoviç erdhi në Kiev në qershor për të shprehur mbështetjen e tij për t’i dhënë Ukrainës statusin e një kandidati për BE”.

“Mali i Zi nënshkroi gjithashtu një deklaratë të mbështetjes për hyrjen e Ukrainës në NATO. Dhe ndihma për Forcat e Armatosura të Ukrainës arriti në 11% të buxhetit vjetor ushtarak të Malit të Zi. Ndoshta për qeverinë teknike të Abazoviç’it, kjo shërbeu vetëm si justifikim dhe përgjigje ndaj kritikave të opozitës për politikën proruse”.

Nëse Lekiç’it i jepet shansi për të formuar një qeveri, “për të mos mërzitur Perëndimin, ata do të vendosin të mos përfshijnë politikanë toksikë pro-rusë në qeverinë e re”, por siç thekson artikulli, “ngrirja e marrëdhënieve të Malit të Zi me BE-në në të ardhmen do t’i lejojë Federatës Ruse të (ri)kthejë ndikimin”.

“Megjithatë, nuk ka gjasa që BE-ja të mbyllë sytë ndaj këtyre ngjarjeve në Mal të Zi për një kohë të gjatë”, përfundon analiza.

Ndryshe, mediumi malazez “Antena M” citoi të mërkurën disa ekspertë rusë, të cilët pretendonin se Kremlini duhej të kishte penguar Malin e Zi të anëtarësohej në NATO, sepse Serbia, dhe rrjedhimisht flota ushtarake ruse, do të kishin dalje në detin Adriatik dhe se tani “fitorja e Abazoviç’it do të ishte lajm i mirë për Moskën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore