Lajme

Kryebashkiaku i Stambollit dënohet me burg dhe ndalohet nga përfshirja në politikë


Në Turqi, një gjykatë ka dënuar kryebashkiakun e Stambollit me më shumë se dy vjet burg dhe e ka ndaluar atë nga përfshirja në politikë.

Ky veprim është përshkruar nga mbështetësit e tij si një përpjekje e motivuar politikisht për të mënjanuar një rival të profilit të lartë të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

Ekrem İmamoğlu u dënua me dy vjet e shtatë muaj e 15 ditë burg pasi i quajti anëtarët e këshillit suprem zgjedhor të Turqisë “budallenj” në një deklaratë për shtyp tre vjet më parë.

Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë gjyqi apo dënim dhe pritet të apelojë kundër vendimit.

Sakaq, vendimi përfaqëson hapin e fundit në një goditje ndaj figurave kryesore nga Partia Popullore Republikane (CHP), sfiduesja kryesore e Erdoğan-it.

Në fillim të këtij viti, Canan Kaftancıoğlu, kreu i degës së CHP-së në Stamboll, u ndalua dhe u dënua me pesë vjet burg me akuzën për fyerje të Republikës së Turqisë në tweet-et që e akuzonin Erdoğan-in për vjedhje.

“Vullneti i 16 milionë qytetarëve të Stambollit është në gjyq”, ka deklaruar zyra e kryetarit pak përpara dënimit të İmamoğlu.

“Ata po kërkojnë të privojnë kryetarin e Stambollit nga të drejtat e tij politike”, ka vijuar deklarata.

Për İmamoğlu, ky vendim është një turp për gjyqësorin turk.

“Është shprehja më e fortë e faktit që gjyqësori është shndërruar në një instrument për të ndëshkuar disidentët. Është dëshmi se pushtetarët e këtij vendi nuk kanë synim të sjellin drejtësi dhe demokraci në vend”, u ka thënë ai mbështetësve.

Po ashtu ka thënë se këto lojëra nuk do ta pengojnë dhe se nuk do të dorëzohet.

Fitorja e İmamoğlu në vitin 2019 i dha CHP-së kontrollin e qytetit më të madh të Turqisë, i cili përbën 40 për qind të PBB-së së vendit.

Një goditje simbolike kjo për Erdoğan-in, i cili më parë mbante të njëjtin pozicion përpara se të hiqej nga posti dhe të burgosej me katër muaj për nxitje urrejtjeje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore