Shqipëria

Meta: Më 6 dhjetor do brohorasim për Shqipërinë si gjithë Evropa


“Më 6 dhjetor ne do të jemi të gjithë për të brohoritur se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Kështu deklaroi kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duke konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e thirrur nga aleati i tij, Sali Berisha, më 6 dhjetor në ditën kur do të mbahet edhe samiti i BE-së.

Më herët, ka qenë lideri demokrat që tha se ka marrë mbështetjen e Metës lidhur me protestën.

Pas homazheve te Varrezat e Dëshmorëve, ish-presidenti deklaroi se dhjetori është për gjithë shqiptarët e ndershëm patriotë dhe liridashës muaji i demokracisë dhe i Evropës.

“Duhet t’i jepet fund kapjes së shtetit dhe instalimit të mafies në pushtet”.

Ai theksoi ndër të tjera se sot është një ditë krenarie për sakrificat e pakufishme të asaj gjenerate të re dhe patriotike që sakrifikoi jetën dhe dha gjithçka për lirinë e atdheut.

“Sot është njëkohësisht një ditë reflektimi për t’u angazhuar të gjithë më shumë, e sidomos të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë sot për një betejë po kaq të rëndësishme që është forcimi i Shqipërisë, i pozitës së saj, i garantimit të së ardhmes së saj si një vend evropian, demokratik”.

Bashkëpunimi Meta-Berisha

Të dy politikanët, që prej mbylljes së mandatit të Metës si President i Republikës, e kanë deklaruar hapur bashkëpunimin mes forcave politike, në aksion kundër Qeverisë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Gjithashtu ato kanë zhvilluar dhe protestë më 12 nëntor.

Njëkohësisht, retorika politike e të dy palëve është qartësisht e bashkërenduar, ku të dy liderët opozitarë flasin për të njëjtat çështja dhe ngrenë të njëjtat akuza ndaj Qeverisë.

Protesta e 6 dhjetorit do të jetë demonstrimi i radhës.

Kujtojmë se mbrëmjen e 25 nëntorit, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi se në bazë të hapave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sigurt të Samitit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, nuk mund të kishte një tubim përballë Kryeministrisë.

Kjo, si pjesë e vendosjes së një perimetri sigurie dhe bllokimi të akseve rrugore në atë zonë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj nuk ka pasur tërheqje nga kryedemokrati, ku ka theksuar se kjo deklaratë është tërësisht antikushtetuese.

 

Protesta e 6 dhjetorit, turp apo vlerë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore