Sport

Vora bëhet me stadium të ri, Armand Duka: Vite më parë ishte moçalishte


Vora është qyteti më i fundit në Shqipëri që është bërë me stadium të ri. Investimi është bërë në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Bashkisë.

Stadiumi u inaugurua këtë të martë përmes një ceremonie festive, që u zhvillua pak para ndeshjes së Kategorisë së Dytë midis KF Vorës dhe Valbonës. Të pranishëm ishin, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, si dhe personalitete të shumta të futbollit dhe jetës publike si edhe qindra tifozë.

Presidenti Duka, në fjalën e mbajtur gjatë këtij eventi shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm që e ka futur tashmë Vorën në hartën e futbollit kualitativ.

Kreu i qeverisë së futbollit vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë Vorë dhe donatorët e klubit në këtë rast, teka theksoi se kur bëhemi të gjithë bashkë mund të bëhen gjëra të mëdha.

“Jam vërtetë i kënaqur që sot jam në këtë impiant të ri që realisht duket i pabesueshëm që mund të ishte në Vorë. Kam parë fotot e ndeshjeve të zhvilluara në këtë stadium shumë pak vite më parë dhe për fat të keq ishte një moçalishte e tërë”, tha Duka.

“Më në fund Vora është futur në hartën e futbollit kualitativ. Ky projekt është një bashkëpunim fantastik, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me Bashkinë e Vorës, me donatorë të tjerë, drejtuesit e klubit të Vorës, të cilët ishin iniciatorë të këtij projekti”, vijoi kreu i FSHF-së.

Kryetari i Bashkisë Vorë, Shera u shpreh mjaft i lumtur që tashmë ky qytet ka një stadium të ri e moderne dhe i shprehu mirënjohjen Presidentin e FSHF-së për këtë kontribut mjaft të rëndësishëm për komunitetin.

“Më në fund qyteti ynë pas kaq shumë vitesh u bë me një stadium të ri. Për këdo që nuk besonte apo ishte skeptik e ftojmë të vijë të vizitojë këtë impiant të ri, që do të shërbejë për të gjithë fëmijët e zonës për të luajtur futboll, por ndërkohë do të ketë edhe një impakt social dhe ekonomik”, theksoi kryebashkiaku.

“Ky është vetëm fillimi, pasi së bashku me FSHF-në ne do të ndërtojmë edhe një fushë tjetër stërvitore, që do t’i shërbejë të rinjve për të luajtur futboll, pasi misioni ynë është mbështetja e të rinjve”, tha Shera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore