Shqipëria

Rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto, falë tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor


Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri ka parë një rritje mjaft pozitive në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me atë të një viti më parë, ku në statistika, vlera shënohet më pozitive me 2.23%.

Kontributorët kryesorë në këtë rritje kanë qenë degët e tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor, të cilat të grupuara së bashku kanë kapur vlerën rritëse prej 1.68%.

Kategori të tjera domethënëse në këtë rubrikë, janë edhe ato të aktiviteteve në sektorin e pasurive të paluajtshme, aktivitetet profesionale, bujqësia, apo aktivitetet financiare.

Vetë taksat neto, kanë shënuar rritje me 0.29% krahasuar me vitin e shkuar, në të njëjtën periudhë.

Disa sektorë nga ana tjetër, kanë performuar më keq, ku ndërtimi është kategoria, e cila sheh uljen më të madhe, me -0.49%.

Industria nxjerrëse dhe përpunuese po ashtu ka shënuar rënie në këto nivele, me 0.46 pikë më pak se viti i shkuar.

Administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia, ranë me 0.32%, teksa artet, argëtimi dhe aktivitetet e tjera të shërbimit, pësuan një rënie minimale me vetëm 0.09 pikë përqindjeje, në aspektin e kontributit në PBB.

Si vlera neto, rritjen më të madhe e kanë shënuar aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 13.20 pikë përqindjeje.

Rënien më të madhe nga ana tjetër, e kanë pësuar artet dhe argëtimi, me -5.36%.

Në vlera pozitive të larta mbeten edhe tregtia, transporti e hoteleria, si edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Në rënie nga ana tjetër, si vlera neto, janë ndërtimi, industria nxjerrëse dhe administrimi publik, arsimi e shëndetësia.

Në krahasim me tremujorin paraardhës, pra atë të parë të vitit 2022, rritja më e madhe shihet në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, me 6.74%. Një shenjë e mirë rikuperimi kjo, pas rënieve të njëpasnjëshme në sektor.

Në rënie sërish, prej tremujorit të shkuar, mbetet sektori i ndërtimit, i cili po haset me një krizë reale pas shpërthimit të pazakontë gjatë pandemisë COVID-19.

Statistikat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore