Lajme

Në vitin 2023 nisin punimet për Spitalin e Prishtinës


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është takuar me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, dhe Drejtorin e Shëndëtësisë, Izet Sadiku, për të diskutuar rreth ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

“Bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, z.Izet Sadiku dhe me bashkëpunëtorë, u takuam me Ministrin e Shëndetësisë, z. Rifat Latifi, me të cilin diskutuam për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë sekondare”, ka shkruar Përparim Rama.

Më tej, ai shtoi se punimet për spitalin e Prishtinës, po ecin sipas planit, dhe se ndërtimi do të fillojë gjatë vitit 2023.

“Punimet për Spitalin e Prishtinës janë duke ecur sipas planit dhe presim që ndërtimi të fillojë gjatë vitit 2023”.

“Bashkë me Ministrin u dakorduam që të kemi një bashkëpunim të ngushtë në krijimin e një institucioni dhe sistemi të mirëfilltë shëndetësor, i cili do të ofrojë shërbime sa më cilësore për qytetarët e Prishtinës”.

Qysh nga viti 2019, ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, kishin nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Ky projekt edhe pse parashihej të përfundonte në vitin 2021, punimet ende nuk kanë filluar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore