Opinione / Politikë

Bejruti i përhumbur


Francesca Mannocchi

Se sa janë të lidhura krizat e krijuara nga luftërat, tregon rruga e mallrave Razoni, anija e parë që u largua nga porti i Odessas që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Në mëngjesin e 1 gushtit, Razoni u largua nga brigjet e Detit të Zi me një ngarkesë prej 26 mijë ton misër dhe – pas një ndalese në Stamboll dhe një në Tripoli – do të mbërrijë në Liban, një vend shumë i varur nga gruri rus dhe ukrainas, i cili është duke përjetuar një krizë gjithnjë e më të rëndë ekonomike dhe politike pas shpërthimit të portit të Bejrutit.

Kanë kaluar saktësisht dy vjet që nga ora 18:00 e datës 4 gusht 2020, kur shpërthimi i 2 mijë e 750 tonë nitrat amoniumi përfshiu qytetin, duke shkaktuar shpërthimin më të rëndë jobërthamor në histori dhe duke shkatërruar magazinat që përmbanin rezervat e grurit, siloset e portit dhe duke shkaktuar vdekjen e 224 personave, mbi 7 mijë të plagosur, prej të cilëve 150 kanë mbetur invalidë dhe shkatërrimin e lagjeve ngjitur me portin, Mar Mikhael, Karantina, Jammaize.

Fillimisht e drejtuar për në Mozambik në një anije të marrë me qira nga një kompani ruse, ngarkesa e nitratit të amonit gjendej në portin e Bejrutit që nga viti 2013, vit në të cilin u shkarkua gjatë një ndalese të paplanifikuar.

U kuptua menjëherë se neglizhenca e zyrtarëve të lartë, të cilët nuk bënë asgjë për të shmangur masakrën, edhe duke ditur se në port ishin grumbulluar materiale shumë të rrezikshme, pasqyronte korrupsionin në vend. Porti ishte i të gjithëve, por i ndarë si pushtet politik, mbi baza sektare. Të gjithë kontrollonin një pjesë të tij, të gjithë fitonin prej tij, askush nuk ishte vërtet përgjegjës për të.

Në dijeni të pranisë së ngarkesës ishin zyrtarët e lartë libanezë, nga presidenti Michel Aoun e deri te kryeministri i atëhershëm Hassan Diab, megjithatë në dy vjet viktimat e shpërthimit nuk kanë marrë ende drejtësi.

Pas shpërthimit, ministri i drejtësisë emëroi Fadi Sawan si kryehetues, i cili akuzoi tre ish-ministra për neglizhencë, por u hoq nga detyra sepse akuzohej se ishte në konflikt interesi dhe jo i paanshëm, sepse edhe ai kishte humbur shtëpinë gjatë shpërthimit.

Më pas ishte radha e Tarek Bitarit, i cili kërkoi të merrte në pyetje politikanë dhe zyrtarë të sigurisë, caktoi seancat për të marrë në pyetje ish-kryeministrin Hassan Diab dhe deklaroi se donte të merrte në pyetje tre ish-ministra. Ata ishin drejtues të lëvizjes Amal të presidentit të parlamenti Nabih Berri dhe aleatët e Hezbollahut, të mbështetur nga Irani. Bitari u përpoq të ngrinte një gjyq kundër tyre me akuzat për vrasje dhe pakujdesi kriminale. Kërkoi gjithashtu të merrte në pyetje gjeneralmajor Abbas Ibrahim, kreun e Agjencisë së fuqishme të Sigurisë së Përgjithshme.

Shumë refuzuan të paraqiteshin, Hassan Diab shkoi deri në Amerikë për të mos marrë pjesë në seancë dhe të tjerët – veçanërisht përfaqësuesit e Hezbollahut – filluan ta akuzojnë atë se donte të politizonte hetimin duke mohuar akuzat ndaj tyre për përdorimin e portit për të ruajtur armatimet.

Protestat kundër Bitarit u bënë gjithnjë e më të dhunshme dhe kanë rezultuar, tetorin e kaluar, me përplasje të rënda zjarri që kanë ngjallur në kujtesën e libanezëve vitet e gjata të luftës civile.

Familjet, kujtesa

Në momentin e shpërthimit, sipas ministrisë së informacionit, kapanonet mbanin 85% të rezervave të grurit në vend. Që nga ndërtimi i tyre në vitin 1970 ato janë bërë një pjesë e njohur e horizontit të Bejrutit, një emblemë e epokës së shtetndërtimit dhe është pikërisht aty, pak metra nga epiqendra e shpërthimit që prej nga gushti 2020, çdo 4 të muajit në orën 18.00, familjarët e viktimave mblidhen para hyrjes nëntë të portit duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet , duke kërkuar që përgjegjësit të paguajnë.

Ata e bënë këtë me më shumë këmbëngulje pas prillit, kur Parlamenti miratoi prishjen e kapanoneve të portit që ndodheshin në vendin e shpërthimit. Familjet dolën më shpesh në rrugë, duke mbajtur fotografi të fëmijëve, grave dhe burrave, nënave dhe baballarëve të tyre.

Prishja e kapanoneve, thanë ata, do të thoshte shkatërrim përgjithmonë i vendit të krimit, do të thoshte që familjet të mos merrnin dëmshpërblim, por mbi të gjitha do të paragjykonte respektin për dhimbjen e familjeve dhe braktisjen e çdo shprese për të pasur drejtësi për dyqind të vdekurit.

Një muaj pas vendimit të parlamentit, komiteti i familjeve paraqiti tre padi në këshillin libanez ‘Shura’ duke kërkuar që vendimi të pezullohej derisa këshilli të shqyrtonte arsyet e tyre. Por drejtësia mungoi.

Tre javë më parë flakët u kthyen për të mbuluar portin. Gruri i kalbur dhe i braktisur në kapanone mori flakë dhe zjarri, i cili vazhdoi për ditë të tëra, shkatërroi atë që kishte mbetur nga strukturat e magazinës, ndërsa familjarët e viktimave vazhduan të bërtasin zemërimin e tyre dhe të akuzojnë zyrtarët se nuk kanë bërë sa duhet për të fikur zjarrin, duke lehtësuar kështu shkatërrimin e kapanoneve.

Kështu pak ditë para 4 gushtit, kapanonet e portit të Bejrutit u bënë sërish pasqyrë e gjendjes së vendit. Pasi ka ushqyer politikat klientelare dhe korruptive për dekada, pasi ka qenë simboli i keqmenaxhimit të elitave politike dhe i palëvizshmërisë së tyre, pas 200 të vdekurve dhe 6 mijë të plagosurve, pjesa e portit që shpërtheu dy vjet më parë është shembur pikërisht ashtu si vendi është në shkatërrim. Asnjë nga problemet e qeverisjes që çuan në ngjarjet tragjike dy vjet më parë nuk ka ndryshuar.

Situata është përkeqësuar ngadalë dhe në mënyrë të pashmangshme. Libani tani po vdes nga kriza e ushqimit, nga kriza monetare – lira libaneze ka humbur më shumë se 90% të vlerës së tij – nga kriza energjetike.

Amnezi kolektive

Në maj, disa javë pasi parlamenti vendosi të prishë kapanonet, Mona Fawaz, profesoreshë në urbanistikë dhe planifikimin urban në Universitetin Amerikan të Bejrutit dhe Soha Mneimneh, një studiuese në të njëjtin universitet, shkruan një apel publik. Një thirrje për kujtesën. Zhdukja pa elaboruar, shkruajnë autoret, është një traditë kombëtare në Liban.

Në të vërtetë, vesi i mosndëshkimit e ka shoqëruar vendin gjatë dhe pas luftës së gjatë civile të viteve 1975-1990, e cila shkaktoi 120 mijë vdekje, një milion të mërguar dhe 17 mijë të zhdukur.

Lufta civile përfundoi në vitin 1991 me një amnisti që fali komandantët e luftës duke i lejuar ata të qëndronin në pushtet dhe, më keq, ta administronin atë në mënyrën më të keqe të mundshme: duke kristalizuar ndarjet për përfitime.

Që nga përfundimi i luftës civile, së bashku me amnistitë, shpërfytyrimi dhe fshirja e shenjave të krimeve të kryera ndaj popullatës është kthyer në praktikë standarde, amnezia kolektive, siç e përkufizojnë autorët e apelit.

“Ajo që një shoqëri zgjedh të përkujtojë, apo të anulojë – shkruajnë Fawaz dhe Mneimneh – ka pasoja të mëdha në identitetin e saj kolektiv. Ajo formon rrëfimet që brezat e rinj do të mësojnë si historinë e tyre të përbashkët dhe peizazhet fizike që do të rriten për t’i identifikuar si të tyret. Ruajtja e historisë nuk është një zgjedhje teknike, por një zgjedhje thellësisht politike”.

Kanë kaluar dy vjet nga ai 4 gusht, kapanonet u shembën disa ditë më parë. U shembën jo nga vullneti i Parlamentit por nga mosveprimi i tij.

Nga palëvizshmëria e një fuqie që nuk ka mundur të ndryshojë dhe që po dënon Libanin në një të tashme mosndëshkimi dhe një të ardhme të varfërisë.

 

 


Lajmet kryesore