Bajram Begaj është betuar të dielën e 24 korrikut si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Kjo, pasi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla lexoi angazhimet kushtetuese të kreut të shtetit.
“Seanca e Betimit” nisi pas orës 18:00 me pjesëmarrjen e mazhorancës, grupit demokrat të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe trupës diplomatike.
Begaj mbërriti në parlament i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy djemtë e tij.
Kuvendi e zyrtarizoi emërimin e tij më 4 qershor si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Edhe pse mungonte pjesa më e madhe e opozitës në sallën e parlamentit, Begaj arriti të siguronte 78 vota pro – 4 kundër.
Propozimi i Begajt si kandidat erdhi pas konsultimit të socialistëve prej disa kohësh.
Një emër shumë i njohur, i cili vjen nga fusha e mjekësisë ushtarake, Begaj pati pëlqim të menjëhershëm edhe sa i përket opinionit publik për kandidaturën e tij.
Nga vetë opozita, u deklarua se bojkoti nuk ishte ndaj figurës së presidentit të ri, por ndaj procesit, që mazhoranca kishte kryer.
Kush është Bajram Begaj
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.
Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.
Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.
Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Begaj takon Tajanin, theksojnë partneritetin strategjik dhe vlerat ndërkombëtare që ndajnë
-
Raportimi i Kathimerini hedh hije dyshimi mbi vizitën e Ramës në Athinë
-
Turqia zyrtarizon ndalimin e tregtisë me Izraelin
-
Sondazhi i PIPOS zbulon se rreth 70 për qind e shqiptarëve do të votojnë për “Frontin Evropian” në zgjedhjet e 8 majit