Lajme

Rusia dëshiron ta ndalojë homoseksualitetin, “vlerë jo-tradicionale”


“Qenie të çuditshme”.

Kështu i ka quajtur homoseksualët Ramzan Kadyrov, i cili pëlqen ta përkufizojë veten si “interpretuesi më i mirë i mendimit të Vladimir Putin-it”,

Me këtë frymë homofobe është shfaqur kreu i Republikës Çeçene që ndjek ndjenjën e përbashkët të Kremlinit, duke publikuar në llogarinë e tij në Telegram foton e disa ushtarëve amerikanë transgjinorë.

Fjalët e tij janë vetëm të fundit në një seri të gjatë.

Prej disa javësh, për talk show propagandistike shtetërore, Ukraina nuk është më një strofkë e nazistëve, por e atyre “pa dinjitet”.

Këtë kanë thënë të ftuarit e të njohurit Vladimir Solovyov, sipas Apti Alaudinov, kreu i batalionit Akhmat, duke saktësuar se ai po bënte një “luftë të shenjtë” kundër botës LGBT.

E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht.

Të hënën e kaluar u depozitua një projekt-ligj në Duma, i cili ndalon “çdo informacion që mohon vlerat familjare dhe që promovon marrëdhënie seksuale jo tradicionale”.

Edhe thjesht përmendja e homoseksualitetit është krim i dënueshëm me burg.

Ligji i ri synon të ndalojë çdo referencë për homoseksualitetin në internet, në kinema dhe në çdo lloj media.

“Reklamimi i marrëdhënieve seksuale të pazakonta përfaqëson një rrezik për zhvillimin e shoqërisë ruse”, kanë thënë deputetët që paraqitën propozimin.

Homofobia nuk është asgjë e re atje. Deri më tani, legjislacioni rus parashikonte ndalimin e “propagandës së homoseksualëve” vetëm për të miturit, sipas një ligji që në vitin 2017 u njoh si diskriminues nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Ditën e Familjes, Dashurisë dhe Besnikërisë, më 8 korrik, Presidenti i Duma-s Vyacheslav Volodin deklaroi se lamtumira ruse me botën perëndimore i ka dhënë fund kërkesave për legalizimin e martesave homoseksuale.

“Përpjekjet për të imponuar vlera të huaja në shoqërinë tonë kanë dështuar. Tani është e drejtë të vendoset një ndalim i propagandës së vlerave jo-tradicionale”, ka pohuar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore