Hachim Mastour pak vite më parë konsiderohej si një nga talentet më të mëdhenj në futboll.
Marokeni u rrit në akademinë e Milan-it dhe shpejt mori vëmendjen e opinionit të futbollit botëror.
Kuqezinjtë e nënshkruan mesfushorin për 500 mijë euro nga Reggiana, kur ai ishte 14 vjeç.
Në atë kohë, Milan-i parakaloi skuadra, si: Juventus, Inter, Real Madrid dhe Manchester City në garën për “xhevahirin e ri të futbollit”.
Ai premtonte shumë.
U stërvit me ekipin e parë dhe kur ishte 15 vjeç ishte gati të debutonte.
Në sezonin 2013-’14, kur Milan-i drejtohej nga Clarence Seedorf, në një ndeshje kundër Sassuolo-s në “San Siro”, ai u thirr, por nuk mundi të merrte minuta.
Nga aty filloi rënia e Mastour.
Ai u huazua te Malaga dhe, më pas, te PEC Zwolle.
Në 2018 përfundoi kontratën me Milan-in dhe doli lojtar i lirë.
Po në atë vit, 2018, marokeni kaloi në ligën greke te skuadra e PAS Lamia-s.
Më pas luajti në nivelet e ulta në Itali me skuadrat e Carpi dhe Reggina-s.
Tashmë ka gjetur një sistemim të ri.
Në moshën 24-vjeçare, kur duhet të ishte në majën e futbollit evropian, Mastour është transferuar te Nahdat Zemamra. Skuadër e kategorisë së dytë në Marok.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com