Një ditë më parë, në mediet e shkruara në Kosovë është publikuar një video në të cilën shihet një burrë duke goditur fizikisht një vajzë të mitur.
Ngjarja u raportua të ketë ndodhur në një park të Prishtinës dhe thuhej se ishte dëgjuar që vajza t’i drejtohej me “baba”, personit që e godiste.
Pas publikimit të këtyre videove, ka reaguar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF. Të shqetësuar për shpërndarjen e asaj videoje, KOMF ka kërkuar që të largohen pamjet nga të cilat mund të zbulohet identiteti i vajzës së mitur.
“KOMF bën thirrje tek mediat që kanë publikuar pamje filmike të cilat mund të çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, t’i largojnë menjëherë ato”.
“Zbulimi i identitetit të fëmijës viktimë çon në dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës”, shkruan në njoftimin zyrtar të KOMF.
“Mediat në radhë të parë të mbrojnë mirëqenien, integritetin e fëmijës, konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës”, thuhet në komunikatën për medie.
Pamjet filmike, sipas kësaj organizate duhet të dorëzohen tek organet e rendit dhe drejtësisë. KOMF kërkon ndërmarrjen e veprimeve urgjente sipas legjislacionit në fuqi për sigurimin e mbrojtjes dhe mirëqenies së fëmijës dhe marrjen e masave ndaj kryerësit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com