Lajme

Stephanie në foto e qetë, edhe pse e pasigurt


Karvanë të tërë emigrantësh, në fillim të vitit të kaluar, i afroheshin kufirit amerikan.

Nuk ishin të parët, as nuk do të jenë të fundit.

Ka qenë thjesht një tjetër moment në një histori të gjatë të emigrimit në Shtetet e Bashkuara Amerikane, këtë herë në sfondin e zgjedhjeve të nxehta presidenciale.

Në Amerikën Qendrore dhe Jugore kishte një ndjenjë se, një fitore e Joe Biden-it mund të nënkuptonte kushte më të favorshme për ata që përpiqeshin të kalonin në SHBA.

Kur Biden-i fitoi, fenomeni u intensifikua.

Pak punë po bëhej në anën meksikane të kufirit.

Kishte shumë imazhe të njerëzve të shqetësuar që luftonin përtej Rio Grande-s, por më pak njerëz gjatë udhëtimit dhe akoma më pak që u jepnin atyre një ndjenjë personaliteti përtej dhimbjes së tyre.

Kështu, vjen ndër mend puna e Adam Broomberg dhe Oliver Chanarin.

Ata kanë realizuar një seri për njerëzit në institucionet psikiatrike, duke i lënë ata të prodhonin imazhe të tyre.

Kishte një ndjenjë dinjiteti, madje edhe humori, që e ktheu këtë seri në të paharrueshme.

Emigrantët trajtoheshin shumë shpesh në terma dydimensionale.

Ishin njerëz nga vendet e varfra, të cilët vuanin nga kriza klimatike, varfëria ose dhuna e bandave.

Por dëshpërimi i tyre ishte e vetmja gjë që portretizohej. Ata ishin thjesht objekte simpatie, jo subjekte për t’u ndjerë.

Asokohe, në skajin lindor të kufirit me Texas-in, dallohej lehtë që qyteti Reynosa nuk ishte shumë i sigurt.

Kishte një komunitet që jetonte në një park pranë Urës së Miqësisë që kalon në Texas. Pjesë e të cilit ishte edhe Stephanie, në atë kohë 17 vjeçe.

Ajo kishte udhëtuar në Reynosa nga Guatemala me nënën e saj. I ati kishte qenë shtylla kryesore e familjes, por kur ai u sëmur, e ëma nuk mund të punonte mjaftueshëm si rrobaqepëse për të siguruar familjen.

Prej kësaj, ata vendosën të përpiqeshin të hynin në SHBA me shpresën për paga më të mira dhe një jetë të re.

Kishte diçka vërtet të habitshme te mënyra sesi ajo u ul para se të fotografohej.

Ishte krenare, e qetë dhe rrezatonte qetësi, pavarësisht se ishte në një nga momentet më të pasigurta të jetës.

Çdo foto niste me një bisedë, një përpjekje për t’u njohur me temën.

Por, shpesh, duke përfshirë edhe Stephanie-në, kur u pyetën se si do të donin të pozonin, nuk e kishin idenë.

Ajo pranoi të fotografohej ngjashëm si po qëndronte.

Dhe imazhi i saj duket dukshëm i ndryshëm nga dëshpërimi i kapur në shumë fotografi të emigrantëve.

Çka nuk e minimizonte fatkeqësinë që ajo dhe nëna e saj kishin kaluar, por në atë foto Stephanie mund të jetë vajza e kujtdo, çdo grua e re me aspirata, shpresa dhe frikë.

Në vazhdën e lëvizjeve #MeToo dhe Black Lives Matter, ka pasur një ndryshim në mënyrën se si shoqëria mendon për narrativen se çfarë do të thotë të paraqesësh dikë në një mënyrë të caktuar, kush mund ta kontrollojë narrativën, kush e ka kontrolluar atë historikisht.

Projekti ishte një kontribut në ato diskutime, një mënyrë për të lejuar njerëzit që nuk kanë shpesh kontroll mbi narrativën e tyre, të jenë autorë të historisë së vet.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të dhe të ëmën e saj.

Numri i atëhershëm i telefonit nuk funksionon më. Mbase ka kaluar kufirin dhe ka nisur jetën e re.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore