Shqipëria

“S’ka si Tirona jo”, Rama mirëpret organizimin e Sunny Hill Festival


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mirëpritur organizimin e festivalit muzikor “Sunny Hill” në Tiranë përmes një statusi në median sociale “Facebook”.

“Festivali ‘Sunny Hill’ vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, shkruan kryeministri shqiptar.

Lajmin se Sunny Hill Festival do të organizohet në Tiranë e konfirmuan për Albanian Post edhe organizatorët e ngjarjes katërditore.

“Po, do të zhvendoset në Tiranë data e njëjtë vetëm loakcioni ndërrohet”, pohoi Visar Breznica për AP-në.

Organizatori bëri të ditur se arsyeja e ndërrimit të vendndodhjes ka qenë neglizhenca nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Arsyeja është se ka pasur vonesa të shumta për dokumentacion leje të lokacionit të ri, kemi qenë të obliguar të dalim në Tiranë”, shtoi ai.

Breznica sqaron se të gjithë qytetarëve të cilët nuk kanë mundësinë të shkojnë në Tiranë, do t’iu rimbursohet bileta.

“Po krejt kush nuk do të ketë mundësi të vij në Tiranë do t’i kthehet bileta – të njëjta bileta vlejnë edhe për në Tiranë”, ravijëzoi njëri prej organizatorëve të këtij festivali muzikor.

Gjatë ditëve në vijim, sipas tij, do të bëhen të ditura edhe informacionet e tjera lidhur me organizimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore