Lajme

Nisin hetimet ndaj Komunës së Deçanit, refuzoi ta zbatojë vendimin për Manastirin


Manastiri i Deçanit

Prokuroria Themelore e Pejës, ka nisur hetimet ndaj Komunës së Deçanit për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përmes të cilit Manastirit të Deçanit i njihet pronësia e mbi 24 hektarë tokë.

Kështu të paktën ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj.

“Po, hetimet i kemi filluar. Procedura është te ne, kaq mund të them tani. Janë duke u marrë disa veprime në këtë drejtim”, ka thënë shkurtimisht Kurmehaj, për Radio Evropën e Lirë.

Nisja e hetimeve vjen gati nëntë muaj pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dërguar një letër kryeprokurorit të atëhershëm të shtetit, Aleksandër Lumezi, në të cilën është thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë veprime” për moszbatimin e aktgjykimeve, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nuk zbatohet tash e gjashtë vjet nga organet komunale të Deçanit. Sipas tyre, ata 24 hektarë tokë u takojnë dy ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, që ndodhen në këtë komunë.

Presioni ndaj Kosovës

Nga koha kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendimin në favor të Manastirit të Deçanit, komuniteti ndërkombëtar ka bërë vazhdimisht thirrje për zbatimin e tij, duke kërkuar që Manastiri të lejohet të regjistrojë në kadastër edhe 24 hektarë tokë dhe pyje.

Më 20 maj, në ditën kur janë bërë gjashtë vjet nga nxjerrja e vendimit, shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – kanë dërguar thirrje të ngjashme në adresë të Qeverisë së Kosovës.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë QUINT-i përmes një deklarate.

Në muajin prill, Parlamenti Evropian ka thënë se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese “dëmton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”.

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për liritë fetare në botë, të publikuar më 2 qershor, ka përmendur po ashtu çështjen e pronave rreth Manastirit të Deçanit, duke thënë se moszbatimi i vendimit të Gjykatës “ka çuar në shkëputjen e komunikimit në mes të Manastirit dhe Qeverisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore