Shqipëria

Conference League, në Tiranë pritet të mbërrijnë 90 mijë tifozë për finalen


Finalja historike e UEFA Conference League (UECL), e cila do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj, pritet të ndiqet nga një numër i lartë tifozësh, brenda dhe jashtë stadiumit “Air Albania”.

Sipas projeksioneve, në Tiranë ditën e finales pritet të mbërrijnë 90 mijë tifozë nga Italia dhe Holanda. Mbështetes të dy skuadrave finaliste, Roma-s dhe Feyenoord-it.

Drejtuesi i projektit të UECL, Kejdi Tomorri, gjatë një intervistë për emisionin “Wake Up” në “Top Channel”, tregoi më shumë detaje rreth asaj çfarë pritet të ndodhë, por dhe si Shqipëria fitoi të drejtën për të organizuar një finale të tillë.

“Nuk ka qenë shumë e thjeshtë për ne që të prisnim një event të tillë në Shqipëri. Nuk ishim ne të vetmit që aplikuam për ta marrë këtë finale, por edhe shtatë federata të tjera. Kemi mundur vende, si: Franca, Izraeli, Uellsi”, tha Tomorri.

“Së pari, stadiumi është goxha modern dhe është i kategorisë së katërt, që i ka të gjitha kushtet për një finale të tillë”.

“Nga ana tjetër, mendoj se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s donte që të kishte një finale në Shqipëri, duke qenë se është hera e parë që ne organizojmë”.

“Përpos kësaj, dua të theksoj lobimin e fortë që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë që kjo finale të vinte në Shqipëri, sepse ne nuk kemi qenë brenda kushteve të UEFA-s, për disa gjëra të tjera jashtë stadiumit (si kapaciteti i aeroportit, mobiliteti)”.

“Edhe sot që po flasim nuk kemi një linjë autobusësh, Rinas – Tiranë. Janë disa faktorë të tjerë që na penguan pak, por me ndërhyrje, me lobim, arritëm ta merrnim finalen në Shqipëri”, vijon ai.

(Photo by FABRICE COFFRINI/AFP via Getty Images)

Tomorri, më tej, tregon se projeksionet e para nuk kanë qenë të larta, për sa i përket  numrit të tifozëve të pranishëm. Por, tashmë gjithçka ka ndryshuar.

“Parashikimet para daljes në finale të Romës nuk kanë qenë aq të larta, mirëpo në një kontakt me kolegë të UEFA-s ditën e djeshme, priten të vijnë nga Italia rreth 60 mijë deri në 70 mijë persona, të cilët janë pa bileta, sepse vetëm 4000 mijë do të kenë bileta për në stadium”, theksoi ai.

“Ndërkohë, nga Holanda, morëm një informacion nga policia holandeze dje dhe priten nga 18 mijë deri në 20 mijë persona. Do të jetë një fluks i madh tifozësh në Tiranë”, përfundoi Tomorri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore