Lajme

550 zyrtarë në Kosovë nuk i janë përgjigjur kërkesës për deklarimin e pasurisë


Ilustrim.

Agjencia kundër korrupsionit, ka bërë të ditur se e enjtja e 31 marsit është dita e fundit për përmbushjen e obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.

Këtij obligimi ligjor akoma nuk i janë përgjigjur edhe rreth 550 zyrtarë publikë.

AKK ka bërë thirrje tek zyrtarët publikë që të kryejnë këtë obligim ligjor.

“Zyrtarët publikë duhet ta deklarojnë gjendjen e pasurisë së tyre dhe anëtarëve e familjes së tyre, informatat rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: palujtshmëria, pasuri e luajtshme në vlerë mbi tremijë euro, zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare, letra me vlerë, para të kursyera në bankë dhe në institucione tjera financiare, detyrime financiare ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore, të realizuara brenda apo jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Agjencia kundër korrupsionit,

Ndër të tjera ka rikujtuar që mos-deklarimi paraqet vepër penale dhe e detyron AKK-në të veprojë në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal të Kosovës.

Verifikimi i prejardhjes së pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, po vazhdon të jetë mision i pamundur.

Përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se kjo po ndodh për shkak të mungesës së mekanizimeve ligjore.

Leotrim Gashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), kishte thënë për Albanian Post se dënimet të cilat shqiptohen për mos deklarim të pasurisë së zyrtarëve janë shumë të ulëta.

Afati ligjor për deklarim të rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2021 është 1 deri 31 mars 2022.

Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore