Sport

Roma pas dyshes së Napoli-t Milik-Hysaj


Kryeqytetasit e Roma-s duket se janë shumë të interesuar për të marrë shërbimet e dy futbollistëve të Napoli-t, polakun Arkadiusz Milik dhe kapitenin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Të dy lojtarët duket se nuk po gjejnë shumë hapsira tek Napoli i Gennaro Gattuso-s dhe largimi gjatë merkatos së janarit mbetet një opsioin i mundshëm.

Sulmuesi Milik është në vitin e fundit të kontratës me të kaltrit dhe në verë del si lojtarë i lirë. Kjo bën që këtë merkato ai të shitet jo më shumë se 10 milionë euro.

Tek Roma, Milik shihet si zvendësuesi ideal i Edin Dzeko-s, 34-vjeçarit që ka edhe dy vite kontratë me verdhekuqtë, por duke parë moshën dhe dëmtimet e herëpasherëshme, nuk ofron më siguri.

Milik këtë sezon nuk e ka bërë akoma paraqitjen e tij të parë me Napoli-n, por në total me të kaltrit ai numëron 122 prezenca, midis Serie A, Kupës së Italisë, UEFA Europa Ligës dhe Ligës së Kampionëve, ku ka realizuar 48 gola dhe ka dhuruar pesë asiste.

Ndryshe nga Milik, Hysaj ka arritur të ketë disa paraqitje me ekipin e Gattuso-s këtë sezon, por përsëri nuk mbetet zgjedhja e parë për teknikun napolitan. Në total me napolitanët, Hysaj ka 202 prezenca, midis Serie A, Kupës së Italisë, Ligës së Kampionëve dhe UEFA Europa Ligës, ku ka shënuar një gol dhe ka dhuruar tetë asiste.

Hysaj luan në të dy krahët e mbrojtjes dhe për Paulo Fonseca-n e Roma-s do të ishte vlerë e shtuar në ekip, duke parë emrat që ka aktualisht të disponueshëm Roma në krahët e mbrojtjes si, Davide Santon, Bruno Peres, Rick Karsdorp dhe Leonardo Spinazzola, me dy të fundit që herëpashere shfaqin problem fizike dhe pësojnë dëmtime të shumta.

Roma mund t’i marrë shërbimet e të dy 26-vjeçarëve për një shumë rreth 20 milionë euro./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore