Sulmuesi i Barcelonës, Ousamne Dembele, është lënë përsëri jashtë skuadrës nga trajneri Xavi, për ndeshjen kundër Alaves.
Dembele nuk ishte në ekipin e Barcelonës as në ndeshjen kundër Athletic Bilbao në Copa Del Rey, pasi ai nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij me katalunasit.
Reprezentuesi francez nuk ka nënshkruar një kontratë të re në Camp Nou, me vetëm gjashtë muaj të mbetur për të përfunduar rrugëtimin e tij te blaugranët.
Deri më tani, Dembele ka refuzuar të gjitha ofertat për vazhdimin e kontratës, dhe kjo po e penalizon francezin me moslojë.
“Nuk ka debat”, tha Xavi. “Kam qenë shumë i qartë, varet nga ai”.
“Situata e Ousmane nuk ka ndryshuar. Ai e di shumë mirë se si është situata e tij”.
“Ai është i qetë, po stërvitet mirë dhe është pjesë e grupit tonë stërvitor. Kanë mbetur edhe disa ditë në afatin kalimtar, por nuk ka alternativë, ose nënshkruan ose largohet”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com