Sport

10 raste pozitive me COVID-19 te skuadra e Kukësit


Pak para fillimit të Abissnet Superiores, shtatë lojtarë dhe tre anëtarë të stafit teknik kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 te skuadra e Kukësit.

FK Kukësi e kanë bërë të ditur lajmin nga një komunikatë zyrtare përmes faqes së tyre zyrtare në Facebook.

Në komunikatën zyrtare ata thanë se shumë lojtarë kanë udhëtuar jashtë vendit, dhe për këtë arsye janë detyruar të testojnë stafin dhe lojtarët nga tre herë, ku 10 persona kanë rezultuar pozitiv.

Megjithatë, klubi beson se ka edhe raste të tjera, pasi disa nga lojtarët bashkëjetojnë me të prekurit nga COVID-19, por ata bënë të ditur që rastet e kontaktit janë karantinuar po ashtu.

“Janë edhe disa futbollistë të dyshuar duke qenë se jetojnë në një banesë me të prekurit dhe kanë kontakt të vazhdueshëm”.

Në kushte të tilla, të prekurit por edhe të dyshuarit, janë karantinuar në banesat e tyre duke shmangur kontaktin me pjesën tjetër të ekipit megjithatë, të tjera teste do të kryhen ditë pas dite”, është shkruar në komunikatën zyrtare të skuadrës së Kukësit.

Sipas kalendarit të Abissnet Superiore, Kukësi pritej të zhvillonte ndeshjen e parë të vitit me 15 janar kundër Dinamos.

Por me rastet e reja të COVID-19, kjo ndeshje pritet të shtyhet për një ditë tjetër, ose të i jepet fitorja Dinamos.

Kukësi ka kërkuar nga FHSF shtyrjen e ndeshjes, pasi rrezikohet shëndeti i dy skuadrave.

“Klubi ka kërkuar në rrugë zyrtare në FSHF shtyrjen e ndeshjes ndaj Dinamos, duke qenë se organika e ekipit është e cunguar por njëkohësisht rrezikohet shëndeti i skuadrës sonë por edhe ekipit kundërshtar”, thuhet mes të tjerash ne komunikatën e Kukësit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore