Shqipëria

Abuzime me tenderin e uniformave, GJKKO jep vendimet për ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimet ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderin e uniformave.

Sipas njoftimit, e pandehura Edlira Naqellari është dënuar me 1 vit burg. Naqellarit i është hequr dhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat 5-vjeçar.

Gjithashtu është shpallur fajtore Flutura Çekrezi, me të njëjtën masë sigurie.

Anisa Bogdani është dënuar me 10 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike.

Me të njëjtën masë sigurie janë dënuar dhe të pandehurit Ani Omuri, Aurora Mulla dhe Kleivis Hasani e Kreshnik Bejkaj.

Gëzim Mingaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali janë gjithashtu të dënuar me 10 muaj burgim dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 1-vjeçar.

Ka qenë Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila të premten e 3 dhjetorit ka shpallur pretencën për tetë zyrtarët që abuzuan me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

SPAK-u kërkoi që të tetë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të dënohen me 1 vit e 6 muaj burg.

Po ashtu organi i akuzës kërkoi si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë trevjeçare.

Të gjithë shtetasit, e akuzuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Halit Valteri, i cili bashkë me kolegun Myslim Murrizi, në gusht të vitit 2020, e patën denoncuar rastin pranë SPAK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore