Lajme

ICC-ja do të hetojë krimet e luftës në Palestinë


Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), ka njoftuar se do të ketë juridiksion mbi krimet e luftës në Palestinë. Ky lajm është pritur me kundërshti nga ana izraelite.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e dënoi vendimin e marrë.  Ai u shpreh se “do të mbrojë qytetarët dhe ushtarët” e vendit, nga përndjekja ligjore.

Kryeprokurorja i ICC-së, ka njoftuar më parë se ajo synon të hapë një hetim zyrtar mbi krimet e pretenduara në Jeruzalemin lindor dhe Rripin e Gazës.

Statusi i Palestinës ( i cili nuk është shtet) ka bërë që vendimi të jetë i diskutueshëm, dhe të merrte kohë që gjyqtarët të “konfirmonin” nëse gjykata, me seli në Hagë, do të kishte autoritetin mbi çështjen.

Palestina përdori statusin si vëzhguese në Organizatën e Kombeve te Bashkuara (OKB), për tu bashkuar me ICC-në dhe për të bërë thirrje për hetim ndaj veprimeve izraelite.

Vini re se hetimi është i kufizuar në territoret e okupuara të cilat, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk janë nën sovranitetin e Izraelit, i cili është fuqia okupuese aty. Hetimi në Izrael do të kishte kërkuar leje nga Këshilli i Sigurimit i KB, pasi Izraeli nuk është një shtet palë në statutin e Romës.

Qëndrimi i Izraelit

Qeveria izraelite ka argumentuar qëndrimin e saj, duke theksuar se Palestina nuk ishte një shtet me autonomi të plotë. Sipas saj Palestina nuk duhet lejuar që të bëjë kërkesë në gjykatë.

Gjyqtarët e ICC-së e hodhën poshtë këtë qëndrim duke deklaruar se Palestina kishte të drejtën të trajtohej si çdo shtet tjetër. Palestina ka statusin e një vendi vëzhgues jo-anëtar në OKB, i cili e lejoi që ajo të mirëpritet nga ICC-ja.

Ministri i Çështjeve Civile të Autoritetit Palestinez, e ka quajtur vendimin një “fitore për të drejtat njerëzore dhe drejtësinë” dhe  “dita historike për parimin e përgjegjësisë”.

Nga ana tjetër, shteti izraelit ka akuzuar ICC-në për vendimin jo të drejtë sipas tyre.

“Sot ICC provoi edhe një herë se është një organ politik dhe jo një institucion gjyqësor”, tha kryeministri.

Më herët, Netanyahu, kishte bërë thirrje për sanksione kundër gjykatës dhe njerëzve që punojnë për të.

Administrata Trump, përdori një taktikë të njëjtë, për të bllokuar një hetim të ICC-së mbi sjelljen e trupave amerikane në Afganistan.

SHBA kanë kontestuar më parë të drejtën e gjykatës për të hetuar. Ish-sekretari Mike Pompeo shkoi edhe më tej, duke zbatuar sanksione të paligjshme – nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar – kundër oficerëve të gjykatës dhe familjeve të tyre, veprim i cili u dënua nga aleatët evropianë të SHBA-s dhe të tjerët .

Kundërshtimet e SH.B.A.-së nuk merren shumë seriozisht pasi UIS nuk është një Shtet palë në Statutin e Romës që rregullon gjykatën.

Administrata e Joe Biden, thotë se nuk pajtohet me veprimin e ICC kundër Izraelit. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ato kishin “shqetësime serioze” në lidhje me përpjekjen e ICC-së për të kërkuar juridiksionin në rajon.

Synimet e gjykatës për këtë çështje

Gjykata synon të hetojë incidentet që ndodhën gjatë luftës në Gaza në 2014-ën midis Izraelit dhe Hamasit.

Çështja mund të zgjerohet gjithashtu për të përfshirë vrasjet e pretenduara nga ushtarë izraelitë të më shumë se 200 palestinezëve.

ICC-ja është shprehur se kishte një “bazë të arsyeshme” për të besuar se autoritetet izraelite kishin kryer krime lufte duke lëvizur civilë izraelitë në Bregun Perëndimor për të jetuar në vendbanime.

Sipas konventës së Gjenevës, të nënshkruar pas luftës së dytë botërore, transferimi i civilëve në tokë të okupuar është i ndaluar.

Vendimi u mirëprit nga grupet e të drejtave të njeriut.

Pala izraelite pro-Netanyahu ka qartë prirjen ta konsiderojnë një hetim si një vendim fajtor, i cili është mjaft i parakohshëm.  E çuditërisht, grupi islamist i Hamasi-t që qeveris në Gazë, tani e gjen veten në të njëjtën krah me Izraelin, në kundërshtim me juridiksionin e ICC.

Çfarë është ICC-ja

Historia Botërore e Shekullit të XX-të u karakterizua jo vetëm nga konflikte të ashpra dhe të përgjakshme, por do të tërhiqte vëmendjen mbi krimet në masë kundrejt popullatave civile. 23 vite më parë do të miratohej Statusi i Romës, që do të bënte të mundur themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

ICC-ja është gjykatë e përhershme, me qasje universale për të bërë të mundur gjykimin e autoriteteve më të larta përgjegjëse për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krimeve të gjenocidit si edhe për të luftuar mungesën e ndëshkimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore