Gjenerali Ahmed Naser al-Raisi, një zyrtar i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe, është kandidati potencial për t’u bërë presidenti i ri i Interpol-it – një organizatë që bashkon forcat policore të 195 shteteve.
Por, Raisi është akuzuar ditët e fundit për përdorimin e torturave.
Akuza e parë u prezantua nga avokatët e mbrojtësit të të drejtave të njeriut dhe blogerit Ahmed Mansour.
Ky i fundit, ka qenë në izolim për katër vjet në një qeli prej katër metrash.
Mansour akuzohej se kishte “kërcënuar rendin publik” dhe kishte shpërndarë ” informacione të rreme”.
Lufta e pamëshirshme e gjeneralit al-Raisi kundër krimit dhe terrorizmit, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, shtrihet në persekutimin e çdo kundërshtari të regjimit të Sheik Khalifa bin Zayed.
Akuzat e “britanikëve”
Të hënën e 22 nëntorit në Stamboll u organizua një konferencë për shtyp nga avokati britanik Rodney Dixon.
Dixon po ndihmon akademikun britanik Matthew Hedges.
Akademiku u arrestua nga policia e Emirateve në maj të vitit 2018 dhe më pas u akuzua për spiunazh.
Hedges rrëfeu se ishte burgosur në një qeli të vogël, ku u rrah, u torturua, u drogua dhe u detyrua të nënshkruante një rrëfim të rremë.
Pas presionit nga Londra zyrtare ai u lirua edhe pse ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
“Gjenerali al-Raisi është përgjegjës për atë që më ndodhi, është e pamundur që ai të mos ishte në dijeni të dhunës”, do të deklaronte Hedges.
Një ankesë e tretë u paraqit nga Ali Issa Ahmad, një shtetas britanik si Hedges.
Ahmad ishte në Emiratet e Bashkuara në janar të vitit 2019 dhe ndoqi një ndeshje të Kupës së Azisë.
Ai mbante veshur një fanelë të ekipit kombëtar të Katar-it.
Gjatë atyre ditëve, Emiratet e Bashkuara Arabe morën pjesë në bllokadën kundër Katarit.
Kjo bllokadë ishte shpallur edhe nga Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti duke vijuar deri në janar të vitit 2021.
Ali Issa Ahmad u arrestua, u rrah dhe u ther me thikë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com