Shqipëria

Në vitin pandemik, 40% më pak udhëtime në Shqipëri


Në një anketim të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), sa u përket udhëtimeve në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, rezulton një rënie me 40% të udhëtimeve për 2020-ën, krahasuar me vitin 2019.

Sipas INSTAT-it, kjo shifër e regjistruar vjen si rezultat i pandemisë COVID-19.

Më tej, Instituti ka bërë publike numrin e regjistruar të udhëtimeve të shqiptarëve për vitin 2020 (3 milionë e 276 mijë), bazuar tek udhëtimet për qëllime personale, apo biznesi (brenda dhe jashtë Shqipërisë).

Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4,6 net.

Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98,7 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa ato për qëllime biznesi 1,3 % të tyre.

Periudhat e përzgjedhura për udhëtime të regjistruara janë kryesisht në muajt e verës.

Në muajin gusht u regjistrua edhe përqindja më e lartë e udhëtimeve: 17%. Në muajt qershor dhe korrik u vunë re përqindjet, përkatësisht 12,1 % dhe 9,9 %.

Në anketimin e INSTAT-it, sa i përket periudhës së dimrit, u vu re një përqindje e lartë, në muajin janar 12,8 %. Në dhjetor u regjistrua një përqindje prej 11,4.

Tirana, destinacioni i preferuar

Sipas INSTAT-it, destinacioni më i preferuar, për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri, ishte Qarku i Tiranës (26,3 %).

Më pas renditet ai i Vlorës (16,1 %), Durrësit (14,0 %) dhe Korçës (8,9 %).

Sa u përket destinacioneve jashtë kufijve të Shqipërisë, përqindje më e lartë e udhëtimeve është regjistruar në Greqi (2,1 %), Kosovë (2,0 %) dhe Itali (1,7 %).

Udhëtimet sipas qëllimit

Në vitin 2020 – viti i pandemisë – sipas INSTAT-it u regjistrua numër i ulët i udhëtimeve për qëllime personale brenda dhe jashtë Shqipërisë, krahasuar me 2019-n.

Të shtrirë në kohë, “vizita te të afërm dhe miq” kanë përqendrim më të lartë, prej 88,4 %.

Udhëtimet “Pushime dhe kohë të lirë” zënë 56,4 %, ndërsa udhëtimet e kryera për qëllime biznesi kanë kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri (89,5 %) dhe më të gjatë jashtë saj (96,6 %).

Profili i udhëtarëve

Grup-mosha 25-34 vjeç ka zënë përqindjen më të lartë të udhëtimeve për vitin 2020.

Analizimi i udhëtimeve, sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2020, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda Shqipërisë janë kryer nga udhëtaret femra (50,6 %), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (52,6 %).

Lidhur me kohëzgjatjen e udhëtimeve të analizuar sipas grup-moshave të udhëtarëve, në vitin 2020, vihet re që udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër (1-3 net) kanë shënuar përqindjen më të lartë për grup-moshën 25-34 vjeç.

Udhëtimet sipas llojit të transportit

Rreth 3,1 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor, të cilët përbëjnë 96,4 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020.

Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 15 pikë përqindje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore