“Operacionet plastike në Shqipëri ditët e sotme janë shtuar në numër”.
Kirurgu i operacioneve plastike, Skerdi Faria, për Albanian Post thotë se, përveç figurave të njohura në publik, një numër i lartë që i drejtohen klinikës së tij, janë edhe njerëzit “jo të famshëm”.
I pyetur se në cilat pjesë të fytyrës kryhen këto ndërhyrje, më të shpeshtat janë “ato në hundë”.
“Ka njerëz që duan të korrigjojnë defektet, ka njerëz që janë maniakë për operacione plastike. Në këtë rast mundohemi t’i këshillojmë çfarë është më e mirë për ta”.
Studentja Ana Çela është një prej vajzave që ka kryer ndërhyrje pikërisht në hundë.
Ajo rrëfen se, pas korrigjimit që bëri, ndihet me vetëbesim dhe më mirë me veten.
“Unë hoqa dorë nga një kompleks i madh që më shoqëronte gjatë gjithë kohës. Tashmë ndihem shumë mirë kudo që shkoj”, tha ajo për Albanian Post.
Nga ana tjetër, 23-vjeçarja Eliona Gaxha, e cila ka të njëjtin defekt në fytyrë si Çela, është e lumtur me tiparet e saj.
Madje, ajo mendon se ato e bëjnë më të veçantë me gjithë parregullsitë e saj.
“Mua më pëlqen të ndihem vetvetja, me gjithë parregullsitë që kam. Çdo gjë më personalizon, duke më bërë kështu personi që jam, e ndryshme nga çdokush”.
Ekziston një rregull universal, apo “e bukura” është relative?
Psikologia Lorela Garulli e shpjegon fenomenin e vetëpërsosjes “me një lloj mirëqenie psiko-fizike”, që ka të bëjë me vetëbesimin, rritjen e vetëvlerësimit dhe imazhit.
Kjo nuk lidhet vetëm me të korrigjuarit e aspekteve fizike.
Megjithatë, thotë Garulli për Albanian Post, “varet gjithmonë edhe nga ndërhyrjet nëse është diçka e madhe, e vogël, apo diçka që individët e kthejnë qëllim në vetvete dhe tentojnë përsosmërinë fizike”.
Një element që e ka kthyer “të dukurit perfekt” në një qëllim, sipas saj, është pakënaqësia.
“Individi në thelb kur ndihet i pakënaqur, kapet me detajet. Këtu ndikon shumë media, rrjetet sociale”.
Sa racionale janë këto ndërhyrje?
Njëjtë si Garulli, sociologu Gëzim Tushi e shikon zgjerimin e kësaj tendence “medikalo-estetike” si diçka që i përket vetëm individit, por edhe më gjerë.
“Në disa raste ato janë të kuptueshme, racionale, dhe lidhen me dëshirën e natyrshme të njeriut për të ndërhyrë mbi trupin e vet, për të korrigjuar defektet estetike të lënduara apo të fituara”.
Mirëpo, në momentin kur këto ndryshime janë të bazuara tek “Instagrami”, të cilat i cilëson si ndikime post-moderne, kthehen në një problem për vetëvlerësimin kur individët nuk kanë “defekte në fytyrë”.
Tushi e lidh dukjen e njeriut, hiret, pamjen e jashtme me faktin se kanë filluar dukshëm të kenë një peshë sociale për “vlerësimin e personalitetit” të njeriut.
Ndërhyrjet plastike “në zgjerim”, thotë ai, po shndërrohen në “mani sociale”, e cila si dukuri në jo pak raste “ka pasoja shëndetësore, antropologjike, shoqëruar edhe me shfaqjen e një lloj çoroditjeje konceptuale”, sidomos te vajzat e reja.
Ndikimet post-moderne vihen re edhe te burrat meteroseksualë – kujdesen shumë për pamjen e tyre. Ata janë konsumatorë të mëdhenj të produkteve kozmetike, palestrës dhe në shumë raste nxirjes së trupit në mënyrë natyrale dhe artificiale.
“Ndërhyrjet plastike apo intervenimet e vazhdueshme të pamjes së jashtme tek të rinjtë janë të lidhura me prirjen sociologjike të shoqërisë së sotme shqiptare, e cila nuk ka masë të sigurt vlerësimi për identitetin e vërtetë dhe ‘subjektivitetin thelbësor’ të njeriut, që është i thellë, ontologjik, dhe jo aq shumë i lidhur me aksesorët estetikë dhe pamjen e jashtme”, përmbylli Tushi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Kris Jenner zbulon se ishte diagnostikuar me tumor vitin e kaluar
-
Ekspertët të shqetësuar për variantin e ri KP.2 të COVID në SHBA
-
Një mënyrë jetese e shëndetshme mund të kompensojë gjenetikën me 60% dhe t’i shtojë 5 vjet jetës, thotë studimi
-
Selena Gomez reflekton mbi shëndetin mendor, rëndësinë e tij dhe tejkalimin e sfidave
Lajmet kryesore
-
Sadushi: S’duam lëmoshë, të plotësohen detyrimet për gjyqësorin
-
Mungesa e fuqisë punëtore, Shqipëria në negociata për të marrë 40 mijë punonjës të huaj
-
OKB mbështet kërkesën palestineze për anëtarësim, Shqipëria abstenon
-
Rohde thotë se Kosova s’është në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së, kërkon që Qeveria të marrë “vendim të guximshëm”