Shqipëria

Nënshkruhet memorandumi për ngritjen e Këshillit Rinor në Diasporë


Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës (AKD-së), Sonila Hysi, ka zhvilluar një takim me zëvendëskryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ku u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes dy institucioneve.

“Ai pritet t’i shërbejë diasporës shqiptare, veçanërisht rinisë shqiptare në diasporë për angazhimin dhe përfshirjen e tyre në vendin e origjinës”, shkruhet në faqen zyrtare të AKD-së.

Nëpërmjet këtij memorandumi, këto dy institucione do bashkëpunojnë për nxitjen e organizimeve, aktiviteteve të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, promovimin e pjesëtarëve të diasporës në fushën e artit, kulturës, përfshirjen e të rinjve në projekte dedikuar inovacionit (ICT) e më gjerë.

Gjithashtu synon nxitjen e vijimësisë së konsultimeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit ndërmjet strukturës së posaçme për diasporën dhe migracionin, për administrimin e shërbimeve në nivel vendor dhe Agjencisë për çështje të lidhura me diasporën.

Ky memorandum synon ngritjen e Këshillit Rinor në Diasporë.

Anëtarët e tij do të jenë pjesëtarë të diasporës me histori suksesi në fushën e artit, kulturës, sportit, të cilët gjatë karrierës së tyre kanë dhënë kontribut të çmuar në promovimin dhe zhvillimin e qytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore