Sport

Përplasja e dy filozofive: Trajnerët me sytë nga sulmi


Përballja e 12 tetorit do të shohë një mini-përplasje mes filozofive dhe manifestimeve të futbollit në dy gjenerata të ndryshme.

Trajneri i Polonisë Paulo Sousa, pranoi postin e trajnerit të bardhekuqëve në fund të muajit janar.

Portugezi është pjesë e një brezi të artë të Portugalisë dhe karrierën e tij të trajningut pas QPR-së, Swansea, Leicester, Bordeaux apo Fiorentina e zhvendosi drejt Varshavës.

Në rrëfimin e tij për “The Guardian”, Sousa e përshkroi takimin me kapitenin dhe idhullin e polakëve, Rober Lewandowski sikur të kish takuar papën.

Detyra e parë e portugezit dhe stafit të tij ishte “vendosja e një grumbulli prej 45, 50 lojtarësh dhe ndjekja sistematike e tyre”.

Sousa filloi të analizojë pamjet e lojërave të tyre, duke gjetur se si ato mund të përshtaten në modelin e tij ose se si ai do të duhej të përshtatet me to.

Ish-lojtari i Juventus-it flet rrjedhshëm anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht – plus gjuhën e tij portugeze – por ai nuk flet polonisht.

Sousa përdori një seri thirrjesh të mëvonshme një për një për të parashtruar udhëzime të përgjithshme para specifikave më të gjera në nivel teknik.

Kjo, duke integruar koncepte të reja. Trajneri i mëparshëm, Jerzy Brzeczek, kishte mbikëqyrur kualifikimin në finalet e Euro 2020, por gërmoi më thellë dhe kishte shqetësime në lidhje me paraqitjet e disa lojtarëve.

Sousa pranon se cilësia më e madhe e Polonisë gjendet në sulm, kryesisht te Lewandowski, Arkadiusz Milik apo Krzysztof Piatek.

“Në Poloni, lojtarët e mëdhenj janë sulmuesit – ne duhet t’i ushqejmë ata”, deklaronte Sousa për të përditshmen britanike.

Shkolla “e vjetër” dhe e rekordeve italiane

Kur Edoardo Reja u ul në stolin e trajningut për herë të parë, Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola ishin përkatësisht shtatë dhe tetë vjeç, Jurgen Klopp ishte 11 dhe Julian Nagelsmann as nuk kishte lindur.

Katër dekada më vonë, 75-vjeçari është në punën e tij të 26-të si trajner dhe nivelet e tij të motivimit janë aq të larta sa kanë qenë gjithmonë.

Marrja e detyrës së Shqipërisë ishte sfida e tij e re – emërimi i parë në një ekip kombëtar.

Pasi i drejtoi ata drejt fitores në grupin e tyre të Ligës së Kombeve, Reja tani ëndërron të dërgojë Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë.

Kam pasur një karrierë të gjatë si trajner – 41 vjet – dhe mendoj se kam marrë gjithçka që doja nga futbolli i klubeve.

“Kisha arritur kufirin tim, megjithëse jo për motivimin apo ambicien. Fillova me klube të vogla dhe gradualisht kalova në ekipe më të mëdha. Duhet të jem i sinqertë dhe të them se kam arritur gjithmonë rezultatet që doja. Unë kurrë nuk kam dështuar. Kishte ardhur koha për të thënë ‘stop’. Doja të isha trajner i një ekipi kombëtar sepse ishte pjesa e fundit e enigmës sime të futbollit”, deklaroi Reja për FIFA-n.

Pas ndeshjes me Hungarinë, i pyetur në lidhje me aktivizimin e Brojës për të shfrytëzuar shpejtësinë e tij, trajneri italian u shpreh se mundohet ta shfrytëzojë për karakteristikat që ka.

“Nuk shërben vetëm të bësh gol, por duhet të luash për ekipin”.

Me mungesën e Cikalleshit, Shqipëria humbet rendimentin dhe ndihmën në fazë mbrojtëse por fiton shpejtësi dhe gjendet në “duart” e njeriut të momentit.

Trajnerët edhe pse me filozofi të ndryshme, janë me sy nga sulmi. Shqipërisë i duhet fitorja, Polonisë i mjafton dhe barazimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore