Lajme

Bing, zëvendësim i mundshëm i Google-it në Australi


Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka deklaruar se shfletuesi Bing i Microsoft-it mund të plotësojë boshllëkun e kërkimit në internet nëse Google-i tërheq shërbimet e tij në Australi për shkak të pagesave të kërkuara nga mediat vendase.

Deklarata e kryeministrit australian vjen pas thirrjeve të Google-it se do të tërheqë shërbimet e tij nëse miratohet ligji që detyron kompaninë të paguajë mediat vendase për lajmet që do të marrë prej tyre.

Sipas agjensisë së lajmeve, Reuters, pjesë e shërbimeve që Google-i synon të tërheqë nga Australia është edhe motori i kërkimit, Google Search, i cili mbulon 94% të tregut të kërkimit në vend.

Që prej kësaj përplasjeje të Google-it me Morrison-in, CEO i Microsoft-it, Satya Nadella, ka diskutuar me kryeministrin australian rreth gatishmërisë për të rritur praninë e rrjetit të tij të kërkimit të quajtur Bing.

Pas konfirmimit të diskutimit të realizuar me Morrison-in, një zëdhënës i Microsoft-it ka thënë për Reuters se “i njohim sfidat me të cilat është përballur përgjatë viteve sektori i medias përmes ndryshimit të modeleve të biznesit dhe parapëlqimeve të konsumatorëve”.

Megjithatë, zëdhënësja nuk ka dhënë shpjegime të detajuara lidhur me diskutimin pasi kompania nuk është e përfshirë drejtpërdrejtë në ligje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore