Kosova

Nxirren ngjitëset nga depot e MPB-së – të shtypura katër vite më parë


Ngjitëset për targat KM.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar në tri pika pas situatës së krijuar në Veri. Njëra prej tyre thotë se me 4 tetor, targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) është arritur në pajtim që të futën në Kosovë me një ngjitës.

Ngjitëset për këto targa janë prodhuar katër vite më parë dhe ato po mbaheshin në depot e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Letrat ngjitëse për targa të automjeteve që do ti mbulojnë pjesët relevante të targave, janë shtypur në vitin 2017. Numri i letrave ngjitëse që janë prodhuar në vitin 2017 është 300.000 copë”, bëri të ditur zyra për komunikim me publikun e MPB-së për lajmi.net.

Targat me mbishkrimi “KM” (Kosovska Mitrovica), janë targa që Kosova deri më tani i konsideronte ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Targat “KM” prodhohen dhe lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sistemi i targave në Serbi është bazuar në qytetet dhe meqë ata e konsiderojnë Mitrovicën dhe në përgjithësi Kosovën, pjesë administrative të tyren, atëherë vazhdojnë të lëshojnë tabela me “KM”.

Ka dy lloje të këtyre tabelave – ato të vjetrat, që jepeshin para vitit 1999, por edhe me sistemin e ri të tabelave në Serbi, janë prodhuar përsëri targa me iniciale të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë, përkundër se shiheshin vetura në qarkullim me këso lloj targash, ato nga institucionet zyrtare janë konsideruar gjithmonë ilegale.

Targat KM, modeli i ri ((Kosovska Mitrovica)

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Në vitin 2011 në Bruksel është arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan) “KM” (Mitrovicë), etj., duhej të hiqeshin. Do të thotë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral (KS- Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Ato, në marrëveshjen e publikuar me tri pika, nuk janë përmendur fare.

Nuk është shpjeguar nga qeveria e Kosovës as se si u kalua ngërçi për targat “KM”, për të cilat u tha mbrëmë, e mërkure, se janë pika ndarëse mes dy delegacioneve.

Si dhe çka u arrit në Bruksel?

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Tëitter ka shkruar se kjo gjë u arrit pas negociatave dy ditore që u bë nga delegacionet e dy shteteve.

“Kemi arritur marrëveshje! Pas dy ditëve negociatash intenzive, marrëveshja për de-eskalim dhe rrugën përpara është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negocuar dhe të arrijnë të pajtohen për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Twitter.

May be an image of text

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore