![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2021/08/prokuroria-e-pejes.png)
Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se pas hetimeve nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ndërtimet e kundërligjshme janë ndaluar shtatë persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, në komunën e Pejës.
Përmes një njoftimi, Prokuroria Themelore e kësaj komune në koordinim me Policinë e Kosovës, ka shoqëruar këta persona në stacionet përkatëse policore.
“Pas intervistimit të tyre me urdhër të prokurorit të shtetit, ata janë dërguar në ndalim prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.
Dy drejtorët e ndaluar për këtë vepër penale janë, Drejtori i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike në Komunën e Pejës, A.K., dhe Drejtori i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi, M.N.
Listës së të ndaluarve i bashkohet edhe Inspektori i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Pejës, M.B., Zyrtari ligjor në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi, A.LL., Ish punëtori i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike, O.K. dhe dy Gjeodetët e licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, P.T. dhe P.B.
Bazuar në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se “prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor do bëjë vlerësimin për kërkesat eventuale për sigurimin e prezencës se të pandehurve në procedurë penale”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com