Këshilli i Ministrave ka vendosur akordimin e nëntë bursave të studimit për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, për të studiuar në Republikën e Shqipërisë, propozim ky i paraqitur nga ministri i Shtetit për Diasporën.
Sipas vendimit, nëntë bursat për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare për vitin akademik 2021-2022 përfshijnë mbulimin financiar për tarifën e studimeve, si dhe shpenzimet e akomodimit e të ushqimit për kohëzgjatjen e vitit akademik, të cilat do të përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare për Diasporën.
Me qëllim mësimin dhe thellimin e njohurive të gjuhës së origjinës do të përfitojnë tre bursa studentët e huaj me origjinë shqiptare nga Ukraina, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të komunitetit Arbëresh në Itali, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare në Kroaci.
Po ashtu, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Bullgaria dhe dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Turqia.
Propozimet për kandidatët për përfitimin e bursës do të vijnë nga misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë të akredituara në këto vende, të cilat janë përgjegjëse për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar për kandidatët përfitues të bursës.
Dokumentacioni që do të paraqitet nga aplikantët duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin që rregullon njohjen dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare të lëshuara jashtë vendit.
Agjencia Kombëtare e Diasporës do të kryejë pagesat e mësuesve të nevojshëm për mësimin e gjuhës shqipe në vitin e parë të studimeve për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë për vitin akademik 2021-2022.
Financimi i bursave në zbatim të këtij vendimi, për vitin akademik 2021-2022 ka një vlerë prej 71 mijë e 520 euro, i cili do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Veliaj pretendon sërish se ‘takimin me SPAK e ka kërkuar vetë’
-
Ngjarja tragjike në Shkodër, gjendet trupi i fëmijës së dytë
-
BE e gatshme të mbrojë ekonominë, i thotë shefja e bllokut Kinës
-
Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë s’duhet të përzihet me anëtarësimin e Kosovës në KiE