Muzikë

“Puthje” nga Anxhela Peristeri dhe Sinan Hoxha


Anxhela Peristeri, Sinan Hoxha

Dyshja e njohur e estradës shqiptare, Anxhela Peristeri dhe Sinan Hoxha, kanë publikuar duetin e tyre të titulluar – “Puthje”.

Kënga është tipike verore, teksa Anxhela me Sinanin i kanë bashkangjitur edhe një video klip të xhiruar në një jaht detar duke i dhënë kështu akoma më tepër adrenalinë projektit.

Teksti i këngës është shkruar nga 2step, ndërsa pjesën e masterizimit ia kanë besuar kompozitorit, Alban Furtuna.

Video klipi i këngës është xhiruar nga kompania artistike “Max Productions”, ndërsa për veshjen e Anxhelës në skenat e klipit është përkujdesur brendi i modës “Hana”.

Kënga është publikuar në platformën YouTube dhe ka marrë kritika të shumta pozitive nga fansat e Peristerit dhe Hoxhës.

Ndryshe, Anxhela Peristeri, ka qenë në qendër të vëmendjës gjatë këtij viti falë pjesëmarrjes së saj në Eurovision, ku edhe e ka përfaqësuar Shqipërinë.

Në skenën e Festivalit të Këngës Evropiane – “Eurovision Song Contest 2021”, Peristeri ka interpretuar këngën e saj “Karma” në gjuhën shqipe, ndërsa është komplimentuar për vokalin e saj.

Por, ani pse me një vokal të fuqishëm që në sy i ra edh jurisë profesionist, Anxhela Peristeri, në renditjen tabelore të festivalit u radhit e 21-ta.

Performanca e Peristerit ishte nga më të mirat që Shqipëria ka prezantuar ndër vite, ndërsa lidhur me këtë është zbuluar se ajo e ka vetëfinancuar paraqitjen e saj.

Tekstshkruesi i këngës “Karma”, Olti Curri, me të cilën Peristeri edhe u paraqit në skenën gjigande të “Eurovision-it”, kishte zbuluar detaje rreth asaj se këngëtarja i ka mbuluar vetë të gjitha shpenzimet e performancës.

“Ky buxhet është përballuar nga Anxhela. Këtu Anxhela ka pasur dëshirë dhe e ka mbuluar Anxhela. Është një buxhet që nuk është i vogël. Sasha (artistja që u përkujdes interpretimin skenik) u dashurua me performancën e Anxhelës”, pati thënë ai në emisionin “TempOra”.

Olti gjithashtu ka shtuar se Anxhela ka punuar intenzivisht në mënyrë që të paraqitet sa më mirë pranë publikut dhe vend nuk kanë zënë ankesat.

“Anxhela ka bërë prova non-stop dhe nuk pati një moment, ku të thotë ‘ndihem e lodhur’. I mbante mirë të gjithë, më thoshte mua, mos ma mërzit atë, mos ma mërzit këtë”, kishte shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore