Sport

“11 maji është ngulitur në memorien e Kosovës” – 5 vjet nga pranimi në FIFA


Këtë 11 maj janë bërë pesë vjet që kur Kosova është pranuar në Federatën Botërore të Futbollit të njohur si FIFA.

Kosova ishte bërë anëtarja e 210-të e Federatës Botërore të Futbollit, pasi prej 205 votave, sa ka qenë totali i tyre në Kongresin e 66-të të FIFA-s, që ishte mbajtur në Meksikë, 141 kishin shkuar në favor të Kosovës.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovë, Eroll Salihu, në një intervistë për Albanian Post tha se “11 maji është ngulitur në memorien e tij”.

Por, këtë ngjarje të madhe për futbollin e Kosovës, Salihut, shteti i Meksikës ia kishte pamundësuar udhëtimin në këtë vend.

“Prapaskenat kanë qenë të shumta sepse Meksika nuk na lëshoj vizën mua e as kryetarit të Federatës së Fubollit të Kosovës, Fadil Vokrrit edhe pse UEFA edhe FIFA kanë bërë shumë presion, por fati jonë që Vokrri së bashku me Flamur Bunjakun anëtarin i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, kanë pas mundësi të shkojnë atje pasi kishin nënshtetësi franceze”, tha Salihu.

Ish-kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri bashkë me Flamur Bunjakun, anëtarin i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së

Në këtë pesë vjetor të zhbllokimit të futbollit kosovar në arenën botërore, Salihu thotë se pos gëzimit e ndjen mungesën e madhe të Vokrrit.

“Për Fadilin dhe mua, por edhe gjithë të tjerët, por për mua gjithë është vështirë kur e përkujtoj sepse Fadili nuk është mesin tonë. Është gëzim, por në anën tjetër ndjej mungesë të madhe për Fadilin në këtë datë”, shton ai.

Sipas tij, merita të mëdha që Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA ka Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, madje mban mend edhe një takim më të pasi Kosova ishte pranuar në UEFA.

“Pas pranimit në UEFA erdhi na uroj Gianni Infrantino edhe na tha mua edhe Fadil Vokrrit, çka jeni kështu të mërzitur. I thashë po tash kemi brengën a do të pranohemi në FIFA, ai na tha “mos u brengoseni sepse atje jam unë bosi dhe nuk do të keni problem”.

Ish kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino

Ndërkaq pranimi në FIFA, sipas Salihut ishte më i lehtë se sa në UEFA pasi edhe disa shtete që e kishin njohur Kosovën kishin votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatën e dytë më të rëndësishëme të futbollit në botë.

“Në FIFA nuk kemi pas frikë sepse ka punuar shumë Infrantino, por në UEFA kemi pas telashe pasi edhe shtetet që na kanë njohur si Zvicra e disa shtete të tjera, kanë votuar kundër neve që ka qenë një goditje e madhe për federatën tonë”, shtoi ai.

“Në anën tjetër ka pas shtete si Rumunia që nuk na ka njohur, por nuk ka votuar kundër”.

Pengesë tjetër ishte edhe lobimi i Serbisë për ta parandaluar pranimin e Kosovës në organizatën më të rëndësishme të futbollit në botë.

‘Serbia nuk ka lënë derë pa hyrë për ta penguar pranimin e Kosovë në UEFA dhe FIFA”.

Në pesë vjetorin e anëtarësimit në Federatën Botërore të Futbollit, kryetari i FFK-s, Agim Ademi, tha se “pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar me datën 3 maj, 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj, 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s në Kongresin e mbajtur në Meksikë”.

“Në këtë ditë të veçantë falënderoj të gjithë ata që për dy dekada e gjysmë e mbajtën gjallë vazhdimësinë e futbollit në Kosovë me mjetet vetanake, pastaj të gjithë brezat e futbollistëve dhe drejtuesit e FFK-së ndër vite, e posaçërisht ish-presidentin Fadil Vokrri”, tha Ademi.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino

Ndërkohë vitin e kaluar Përfaqësuesja e Kosovës nisi garat për kualifikimet e Botërorit për herë të dytë pas pranimit në FIFA, por përë herë të parë ishte në short për kualifikimet e Botërorit.

Në fakt Kosova ka garuar edhe në kualifikimet e Botërorit të kaluar, Rusia 2018, por grupi i ishte përcaktuar me vendim të FIFA-s, pas pranimit në këtë asociacion.

Kosova është në grupin B së bashku edhe me Suedinë, Greqinë, Gjeorgjinë dhe Spanjën.

Dy ndeshjet e para dardanët i kanë humbur nga Suedia si vendëse 0 me 3 dhe nga Spanja 3 me 1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore