Lajme

Antony Blinken mbi raportin e DASH-it dhe zotimin e administratës Biden-Harris për Liritë Fetare


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të mërkurën e 12 majit ka dalë në një deklaratë për shtyp mbi Raportin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare për vitin 2020.

Fillimisht ai u ndal te luftimet e Rripit të Gazës dhe se çfarë po ndodh në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Blinken u shpreh i tronditur për humbjet e çdo jete civile. Gjithashtu ai bëri me dije se i ka kërkuar zëvendësndihmës sekretarit të shtetit, Hady Amr, që të shkojë menjëherë në Lindjen e Mesme për t’u kërkuar izraelitëve dhe palestinezëve t’i japin fund dhunës.

Ai theksoi se, “SHBA-të janë kundër përshkallëzimit të dhunës në rajon”.

Sakaq, duke iu kthyer raportit, Blinken tha se Departamenti i Shtetit e ka publikuar këtë dokument çdo vit prej 23 vitesh tanimë.

“Raporti”, shton ai, “ofron një përmbledhje gjithëpërfshirëse të gjendjes së lirisë fetare në afro 200 vende dhe territore në të gjithë botën. Ai pasqyron përpjekjen kolektive të qindra diplomatëve amerikanë në të gjithë botën dhe zyrën tonë të Lirisë Fetare Ndërkombëtare këtu në Washington”.

Në fjalën e tij, Blinken shpjegoi se liria fetare, si çdo e drejtë e njeriut, është universale.

“Liria fetare është e barabartë me të drejtat e tjera të njeriut, sepse të drejtat e njeriut janë të pandashme. Të gjithë njerëzit, kudo, kanë të drejtë, pa marrë parasysh se ku jetojnë, çfarë besojnë ose çfarë nuk besojnë”.

Sipas Raportit Ndërkombëtar të Lirisë Fetare në 2020, për shumë njerëz në të gjithë botën kjo e drejtë është ende e paarritshme. Në fakt, sipas Qendrës Kërkimore Pew, 56 vende, që përfshijnë një shumicë të konsiderueshme të njerëzve në botë, kanë kufizime të larta ose të ashpra ndaj lirisë fetare.

Blinken mori disa shembuj nga vende të ndryshme të botës.

“Irani”, sipas tij, “vazhdon të frikësojë, ngacmojë dhe arrestojë anëtarët e grupeve të besimit të pakicave, duke përfshirë Bahá’í, të krishterë, hebrenj, zoroastrianë, myslimanë sunitë dhe sufi”.

“Në Birmani”, shkruan raporti, “udhëheqësit e grushtit ushtarak janë ndër ata që janë përgjegjës për spastrimin etnik dhe mizoritë e tjera kundër Rohingya, shumica e të cilëve janë myslimanë dhe pakica të tjera fetare e etnike në të gjithë botën”.

Raporti tregon se në Rusi, autoritetet vazhdojnë të ngacmojnë, ndalojnë dhe sekuestrojnë prona të Dëshmitarëve të Jehovait, si dhe anëtarëve të grupeve të pakicave myslimane me pretendimin e ekstremizmit të pretenduar.

Sipas raportit, gjykatat në Nigeri vijojnë të dënojnë njerëzit për blasfemi, duke i dënuar ata me burgim afatgjatë apo edhe me vdekje.

“Megjithatë, qeveria ende nuk ka sjellë askënd para drejtësisë për masakrën e ushtrisë ndaj qindra myslimanëve shiitë në 2015”.

Në Arabinë Saudite raporti cilëson se mbetet i vetmi vend në botë pa një kishë të krishterë, megjithëse ka më shumë se një milion të krishterë që jetojnë aty.

Autoritetet vazhdojnë të burgosin aktivistë për të drejtat e njeriut si Raif Badaëi, i cili u dënua në 2014 me një dekadë burg dhe një mijë goditje për të folur për bindjet e tij.

Sakaq, në raport thuhet se Kina kriminalizon gjerësisht shprehjen fetare dhe vazhdon të kryejë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj ujgurëve myslimanë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave fetare dhe etnike.

“Më gjerësisht, antisemitizmi sheh një rritje në të gjithë botën, përfshirë këtu në Shtetet e Bashkuara, si dhe në të gjithë Evropën”, deklaroi Blinken.

“Urrejtja antimyslimane”, sipas tij, “është akoma e përhapur në shumë vende, dhe kjo, gjithashtu, është një problem serioz për Shtetet e Bashkuara, si dhe në Evropë”.

Blinken sjell në vëmendje disa të dhëna nga raporti për disa vende, të cilat kanë bërë hapa pozitivë përpara.

“Vitin e kaluar, qeveria e përkohshme e udhëhequr nga civilët në Sudan shfuqizoi ligjet e apostazisë dhe ligjet e rendit publik që ishin përdorur për të ngacmuar anëtarët e grupeve të pakicave fetare”, tha Blinken.

Ai mori si shembull nga raporti qeverinë e Uzbekistanit, e cila ka liruar qindra njerëz që janë burgosur për shkak të besimeve të tyre.

“Vetëm këtë të shtunë”, shtoi ai, “Turkmenistani liroi 16 Dëshmitarë të Jehovait, të cilët  janë kundërshtues ndaj shërbimit në ushtri”.

Në fund, Antony Blinken tha që duhet punuar në drejtim të këtij progresi. Ai u zotua se premtimi i administratës Biden-Harris është që të mbrojë lirinë fetare në të gjithë botën.

Blinken shprehu mirënjohje për partnerët, duke përfshirë qeveritë e së njëjtës linjë politike, Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe rrjete si Aleanca Ndërkombëtare e Lirisë Fetare e Besimit dhe Grupi Ndërkombëtar i Kontaktit i Lirisë së Fesë ose Besimit.

Ai tha se puna me organizatat e shoqërisë civile, përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe komunitetet fetare vijon, për të luftuar të gjitha format e urrejtjes dhe diskriminimit të motivuar fetarisht në të gjithë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore