Shqipëria

Pse po kërkohet shkarkimi i Ilir Metës?


Partia Socialiste ka mbledhur zyrtarisht votat për të nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Puna ka filluar tashmë në Komisionin Hetimor Parlamentar, për ta çuar në seancë plenare kërkesën.

Për këtë, Meta i ka çuar anëtarëve një letër, në të cilën pretendon se nuk ka marrë asnjë sqarim apo kërkesë në informacionin e dhënë nga Komisioni.

Kjo është hera e dytë që një nismë e tillë shkon në Parlament, brenda dy vjetëve.

Të parën, mazhoranca e ngriti pas dekretit të presidentit mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ajo u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Sqarimin mbi akuzat e reja e ka bërë vetë kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Meta ndërkohë, i ka quajtur këto akuza “Shashka”, duke kërkuar përqendrim në mbylljen e procesit zgjedhor.

Përveç politikës shqiptare, replika në distancë me Presidentin Meta ka patur edhe vetë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

Procedurat për shkarkimin e presidentit, do të shqyrtohen në seancën plenare të 7 majit.

Nëse kërkesa miratohet në Parlament, më pas shkon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja ka fjalën e fundit lidhur me shkarkimin apo mbetjen në detyrë të presidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore