Lajme

74 mijë qytetarë të imunizuar me vaksinën anti-COVID-19


Edhe gjatë ditës së enjte në sallën “1 Tetori”, është duke vazhduar procesi për imunizimin e qytetarëve me dozën e parë të vaksinës anti COVID-19, ndërsa me dozën e dytë të vaksinës janë duke u vaksinuar personeli shëndetësor.

Koordinatori në Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se sot janë vaksinuar 450 qytetarë.

“Deri në këto qaste që ne flasim në sallën ‘1 Tetori’, kemi mbi 450 të vaksinuar, ndërsa nëse ju referohemi në nivel vendi kemi rreth 1 mijë 600 persona të vaksinuar”.

Sipas tij, nga dita e parë e vaksinimit deri në këto çaste janë imunizuar 74 mijë e 500 persona.

Po ashtu Bardhi ka thënë se të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor janë duke e respektuar pjesën e terminit të paracaktuar.

Ndërsa ka treguar se mbi 2 mijë persona janë vaksinuar tashmë me dozën e dytë të vaksinës anti COVID-19.

Ministri i Shëndetësi, Arben Vitia gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës ka bërë të ditur se deri në fund të këtij viti pritet të sigurohen deri në 2 milionë vaksina anti- COVID-19.

“Siç jeni të informuar janë siguruar edhe 1 milionë e 200 mijë vaksina e bashkë me dozat e krijuara, deri në fund të vitit do të kemi deri 2 milionë vaksina”, ka deklaruar Vitia.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para përfundimit të mbledhjes së qeverisë ka bërë të ditur se kanë blerë vaksina nga prodhuesi Pfizer.

“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’”, ka deklaruar Kurti.

Të gjitha vaksinat të ardhura deri më tani në Kosovë kanë qenë donacion nga aleanca COVAX.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore