Lajme

7 më të fortit e botës mesazh Kosovës dhe Serbisë: Zbatojeni Marrëveshjen


Lideret e G7

Nga Hiroshima e Japonisë liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – të njohura ndryshe si G7 – kanë përshëndetur marrëveshjen e Brukselit\Ohrit, në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes një deklarate të përbashkët lëshuar pas takimit të përbashkët.

“Ne e mirëpresim Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, të arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 mars”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të G7.

Aty bëhet thirrje që marrëveshja e arritur të zbatohet, dhe secila nga palët të tregohet e përgjegjshme në zbatimin e obligimeve të marra.

“Me qëllim të zhbllokimit të potencialit të saj të plotë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me lehtësi dhe mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”.

Në deklaratën e lëshuar për media nga liderët e G7-s, për Kosovën dhe Serbinë flitet në pikën e 65 nga 66 pika gjithsejtë.

Në Hiroshima liderët e vendeve më të fuqishme të botës kanë diskutuar për ekonominë, për politikën, dhe me theks të veçantë për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Temë e diskutimit ka qenë edhe Kina – e cila është duke rritur kërcënimet e saj ndaj ishullit të Tajvanit. Po ashtu, edhe testimi i armëve nga Koreja e Veriut ka qenë subjekt i trajtimit.

Çfarë është Samiti i G7?

G7 është një grup joformal i demokracive kryesore të industrializuara pa sekretariat të përhershëm apo status ligjor. Ai përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Grupi u themelua si G6 – pas krizës së naftës të vitit 1973 si një forum për vendet më të pasura për të diskutuar çështjet ekonomike globale. Vendet e saj kanë një prodhim të brendshëm bruto vjetor të kombinuar prej 40 trilionë dollarësh – që përbën pak më pak se gjysmën e ekonomisë botërore.

Anëtarët themelues mbajtën samitin e tyre të parë në 1975 në Francë për të diskutuar se si të trajtohej recesioni i thellë që pasoi embargon e vendosur nga karteli i prodhimit të naftës, OPEC. Kanadaja u bë anëtari i shtatë një vit më vonë.

Rusia u bashkua për të formuar G8 në 1998, por u dëbua pas aneksimit të Krimesë nga Moska në 2014.

Presidenca e samiteve zhvendoset midis shtatë anëtarëve dhe këtë vit është radha e Japonisë për të pritur. Në vitin 2024 do të jetë Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore