Lajme

5 të vdekur në Tel Aviv, sërish sulm në rrugët izraelite


Një sulm tjetër ka ndodhur në rrugët e qytetit izraelit të Tel Avivit, ku pesë persona raportohet se kanë mbetur të vdekur pasi një person ka filluar të qëllojë në dy lagje të ndryshme të ish-kryeqytetit.

Sipas raportimeve nga mediat izraelite, atentatori është neutralizuar nga ana e Policisë, pasi i ka marrë jetën pesë personave.

Dy zonat ku ka ndodhur sulmi janë të njohura si Bnei Brak dhe Ramat Gan, por mendohet se autori mund të ketë qëlluar edhe në vende të tjera përpara se të asgjësohej.

Ai ishte duke udhëtuar me motor ndërkohë që ushtronte qitjen tek qytetarët dhe po në këtë rrethanë është qëlluar nga efektivët.

Nuk dihen ende detaje mbi mënyrën se si ai po operonte dhe nuk ka ende dyshime nëse ka pasur bashkëpunëtorë.

Ky është sulmi i tretë brenda javës në Izrael, ku ka pasur viktima.

Kronologjikisht, i pari ndodhi më 22 mars, në Beersheba, ku katër persona mbetën të vdekur. Këtë sulm, e mori përsipër grupimi terrorist ISIS.

Më 27 mars, një sulm tjetër ndodhi, këtë herë në Hadera, ku dy policë u vranë dhe gjashtë persona mbetën të plagosur. Sërish, këtë sulm e mori përsipër ISIS.

Mbi sulmin në Tel Aviv, ende nuk ka një pretendim për autorësinë. Por, me shifrat e deritanishme, numri i të vrarëve në rrugët e Izraelit brenda javës, shkon në 11.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore