Shqipëria

Politika shqiptare kujton 40-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes


Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, të martën e 21 shtatorit ka përshëndetur me një mesazh.

Duke përmendur faktin se Shqipëria është anëtare e NATO-s, Kryeministri kujton kontributin që vendi ynë ka dhënë në misionet për ruajtjen e paqes anembanë globit, në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë dhe tolerancës.

“Kjo ditë na rikujton se ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që mund të na ndajnë”, e mbyll mesazhin Kryeministri.

E para që e kujtoi këtë ditë ishte Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Duke përmendur 40-vjetorin e kësaj dite të shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila vendosi 21 shtatorin si kremtimin e Ditës së Paqes, Nikolla kujtoi kontributin e shtetit shqiptar.

“Shqipëria është bërë një kontribuuese e spikatur e paqes dhe vazhdon të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë, tolerancës e mirëkuptimit në rajon e më gjerë”.

Më tej Nikolla vijoi mesazhin duke vënë theksin se Shqipëria si një vend i NATO-s ka dërguar djemtë dhe vajzat e saj në misione paqeruajtëse në mjaft vatra të nxehta luftërash e konfliktesh anembanë globit.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla

Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit, kujtoi dhe vitin kur Shqipëria e përmbushi me sukses mandatin e Presidencës së OSBE-së gjatë vitit të vështirë 2020. Vit kur tensionet e problemeve të krijuara nga luftërat e konfliktet, iu shtua edhe pandemia e COVID -19.

“Gjatë dy viteve të ardhshme, 2022-2023, Shqipëria do të kontribuojë për paqen e sigurinë në botë, – jo vetëm nëpërmjet shembullit – dhe me vendimmarrjet e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nikolla thekson faktin se, “paqja në botë nis nga paqja në çdo vend”. Sipas saj kjo arrihet vetëm, “kur të gjithë kombet përparojnë e zhvillohen, rrisin mirëqenien dhe ofrojnë mundësi e të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët“.

Ajo e mbyll mesazhin duke iu kujtuar të gjithëve se, “Shqipëria është një vend i vogël, por partneriteti strategjik me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian – kontributi për sigurinë e paqen, për buzëqeshjen e lumturinë e fëmijëve e qytetarëve të të gjithë botës – na bëjnë një vend të madh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore