Lajme

37 profesorë të UP-së janë angazhuar në universitete tjera pa miratimin e Rektoratit


Univeristeti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin për vitin 2020 ka gjetur shumë shkelje të ligjit në “tempullin e dijes”, Universitetin e Prishtinës.

Sipas ZKA-së, 37 profesorë të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar në universitete tjera të Kosovës, por këtë e kanë bërë pa miratimin paraprak të Rektoratit, ashtu siç edhe e përcaktojnë rregulloret.

“Ne kemi identifikuar se 37 profesorë të cilët janë në marrëdhënie të rregullt pune me UP-në, njëkohësisht janë të angazhuar me punë sekondare në universitetet tjera publike që funksionojnë në kuadër të MASHTI-t. Për këto angazhime, këta profesorë nuk kishin marrë miratimet paraprake nga Rektori i UP-së”, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se profesorët nuk kishin kërkuar miratim për punë sekondare nga menaxhmenti i UP-së në njërën anë, dhe për shkak të monitorimit të dobët nga ana e menaxhmentit të UP-së ndaj personelit akademik në anën tjetër”.

Mirëpo, Rregullorja për të ardhura personale të personelit akademik Nr. 2/486 e datës 11.09.2017, neni 6 përcakton se: personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në UP mund të angazhohet me honorar në institucionet tjera, pasi të ketë marrë pëlqimin paraprak nga Dekani dhe miratimin nga rektori i UP-së.

Të gjithë këta profesorë janë angazhuar në kundërshtim me këtë rregullore, bazuar në të gjeturat e raportit.

Shqetësuese mbetet fakti, siç evidenton raporti, se “ky angazhim i profesorëve rritë edhe rrezikun e humbjes së cilësisë në procesin mësimor për shkak të angazhimeve të shumta të personelit”.

Me këtë të gjetur është pajtuar edhe UP-ja, ashtu siç edhe tregon raporti i ZKA-së.

UP-ja, gjatë vitit 2020 ka shkelur ligjin edhe te shpenzimet buxhetore, duke kryer pagesa nga kode joadekuate, që kapin vlera qindra mijëra euro.

“UP, gjatë ekzekutimit të buxhetit, kishte bërë pagesa nga kodet jo adekuate, në vlerë 274,326€, në rastet si më poshtë: Pagesa në vlerë 101,018€, e realizuar nga Thesari, përmes urdhërit përmbarimor, për situacionin e tretë të projektit “Renovimi i Objektit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP” ishte realizuar nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa sipas natyrës i përket investimeve kapitale”.

“Transferi në vlerë 78,270€, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Zbatimin e Projektit të Financuar nga Zyra Përfaqësuese e Bashkimit Evropian, ishte realizuar nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa do të duhej të paguhej nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve, pasi bazuar ne Marrëveshjen për Grantin, ky shpenzim e ka natyrën e subvencioneve”.

“Pagesa për “Furnizim me pajisje laboratorike për Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës” në vlerë 53,390€, pagesa për sistemin e mbarëvajtjes në punë, në vlerë 33,100€, si dhe pagesa për blerjen e aparatit profesional për kafe në vlerë 2,500€, i takojnë kategorisë së investimeve kapitale”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Zyrtarët e UP-së, gjithashtu kanë raportuar gabimisht detyrimet kontraktuese dhe kanë prezantuar dy herë obligimin e njëjtë.

“Universiteti i Prishtinës, kishte shpalosur detyrimet kontraktuese në shumën 76,155€, pa pasur faturë apo raport pranimi, por duke u bazuar vetëm në kontratë. Gjithashtu, obligimi i papaguar, i shpalosur në vlerë 4,308€ me përshkrimin si “Vendim Gjyqësor”, ishte i shpalosur edhe tek raporti i detyrimeve kontigjente”.

“Kjo ka ndodhur për shkak se zyra e prokurimit e ka raportuar gabimisht detyrimin kontraktues si dhe pakujdesisë së zyrtareve përgjegjës të cilët kanë prezantuar dy herë obligimin e njëjtë, dhe rrjedhimisht këto shënime janë bartur edhe në PFV”.

UP-ja në punimet që i ka kryer nëpër objekte e saj,  ZKA ka evidentuar shkelje të shumëfishta duke gjetur se janë kryer pagesa pa u kryer punimet.

“Bazuar në memorandumin e mirëkuptimit mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) dhe Universitetit të Prishtinës (UP), për realizimin e projektit kapital “Renovimi i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për nevojat e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP”.

“Është përcaktuar që UP do të emëroj organin mbikëqyrës për realizimin e projektit, i cili me përgjegjësi të plotë vërteton sasinë dhe kualitetin e punëve/furnizimeve të kryera në bazë të cilave OE lëshon faturën dhe kërkesën për pagesën e punëve/furnizimeve të kryera në bazë të kushteve të kontratës”.

“Organi mbikqyrës kishte aprovuar dhe rekomanduar për pagesë situacionin e IV-të, në vlerë 100,722€, me datë 06.07.2020, si dhe situacionin e V-të në vlerë 102,589€, me datë 14.12.2020. Gjatë ekzaminimit fizik të ralizuar me datën 31.05.2021, kemi identifikuar se disa pozicione nga situacionet IV dhe V të këtij projekti, të aprovuara nga organi mbikëqyrës dhe të paguara, nuk ishin realizuar në tërësi si dhe disa pozicione nuk ishin realizuar fare”.

Për të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit është pajtuar edhe rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, ka pranuar draft raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e Pasqyrave Financiare të Universitetit të Prishtinës për vitin 2020.

“Pas shqyrtimit të të gjeturave dhe reflektimit të pjesshëm të ZKA, në komentet OB-UP-së, pajtohem me gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.

Kelmendi është zotuar se do të reflektojnë dhe do t’i zbatojnë rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit final, do t’i dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”.

Letër konfirmimi për pajtueshmërinë me gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2020 dhe për zbatimin e rekomandimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit, është institucion, që për çdo vit kryen auditime të institucioneve të Kosovës, duke paraqitur shkeljet ligjore që ndodhin gjatë një viti.

Në auditim përfshihen të gjitha institucionet e Kosovës, duke nisur nga Presidenca, Qeveria, Ndërmarrjet Publike, Agjencionet etj.

Institucioni që deri më tani nuk është audituar asnjëherë është Agjencia e Kosovare e Inteligjencës, sepse themelimi i këtij Agjencioni është bërë me ligj të veçantë dhe nuk mund t’i auditohen pasqyrat financare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore