Lajme

33 për qind rriten të hyrat nga Doganat


1 miliardë euro ka grumbulluar Dogana e Kosovës në fund të muajit shtator nga zhdoganimi i mallrave nëpër terminalet doganore.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, në një konferencë për media ka treguar se krahasuar me vitin e kaluar, janë rritur të hyrat për 33.5 për qind.

“Suksesi që dogana po e shënon në mbledhjen e të hyrave. Me përmbylljen e muajit shtator ne arritëm të mbledhim taksat në vlerë 1 miliardë. Kjo paraqet një sukses me vitin e kaluar, meqë kemi të hyra 33.5 për qind, e që kjo është mundësuar në rritja e gjithmbarshme ekonomike e vendit”, tha ai.

Llgaliu po ashtu tregoi se edhe eksporti ka shënuar rritje. Ai një pjesë të meritës për këtë ia ka lënë investimeve publike që kanë ndodhur.

“Ne kemi shënuar rritje të eksportit 68 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kjo ka mundësuar që të kemi rritje të potencialit të investimeve publike nga qeveria, gjithashtu rritje të potencialit nga sektori privat. Po ashtu ka mundësuar të rritet edhe konsumi familjar, që ka ndikuar në rritjen e të hyrave të doganave që ka shënuar në këtë periudhë”.

Llugaliu i ka falënderuar doganieret për këtë të arritur.

Ai ka thënë se kanë punuar për të siguruar kushte të barabarta për të gjithë tregtarët, por që kanë luftuar edhe ekonominë jo formale.

Shefi i Doganave ka thënë se kanë vështirësi edhe në luftën e korrupsionit.

“Kemi pasur dy zyrtarë që kanë qenë të arrestuar gjatë kësaj periudhe, nëntë zyrtarë të kanë qenë të suspenduar dhe masa disiplinore që i kemi shqiptuar janë 20 për qind krahasuar me vitin e a kaluar”.

Llugaliu ka thënë se është rritur edhe besimi ndaj doganave, që sipas tij, janë rezultatet në luftimin e ekonomisë jo formale.

“Gjatë muajve të fundit kemi pasur disa projekte që mundësojnë komunikim me qytetarët, por edhe bizneset e Kosovës”, ka thënë ai.

Llugaliu ka treguar se ka rënie të importit në dy javët e fundit, për shkak të bllokimit të dy pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Është pak e vështirë që brenda një jave me e nxjerr një shifër reale, por ka qenë një ndikim ndoshta rreth 10 përqind të rënies së importeve”,  tha ai.

Ai ka treguar se ndërrimi i zyrtarëve doganor është bërë së bashku me ndërrimin e Njësive Speciale.

Ndërkaq, Ilir Morina, nga Dogana e Kosovës, ka thënë se në “portalin e doganës qytetarët paraqesin ankesat e tyre, dhe momentalisht janë 243 biznese që bëjnë kërkesa të vazhdueshme në sistemin doganor”.

Ndërsa, Besim Lushta, gjatë kësaj konferencë për media ka folur edhe rreth aplikacionit E-dogana, sipas tij “ky aplikacion u mundëson qytetarëve parandalimin e korrupsionit, kontrabandës dhe kontrollimin të veturave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore