Lajme

24-vjet nga masakra e Stagovës, Osmani: Qëllimet barbare të regjimit kriminal ishin shfarosja dhe spastrimi etnik


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Masakrën e Stagovës në Kaçanik që kishte ndodhur 24-vite më parë.

Ajo ka thënë se forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit dhe dogjën gjysmën e shtëpive.

“Qëllimet barbare të regjimit kriminal ishin evidente: shfarosja dhe spastrimi etnik. Kujtimi për martirët e Stagovës është i përhershëm, sikurse edhe përpjekja e vazhdueshme për t`i sjellë autorët e krimeve para drejtësisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në këtë masakër, ranë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.

Përveç humbjeve në njerëz, forcat serbe kryen edhe shkatërrime, djegie dhe vrasje të bagëtive.

Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore