Lajme

24 vjet nga masakra e Reçakut


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, këtë të diele do të marrin pjesë në homazhe me fillim nga ora 10:00 në Kompleksin Memorial në Reçak me rastin e 24 vjetorit të njërës nga masakrat më të tmerrshme kundër njerëzimit për të vendosur kurorë të përbashkët në memorial.

Ndërkaq, në ora 11:00 krerët e institucioneve shtetërore do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Po ashtu, krerët e shtetit do të mbajnë fjalim në Akademinë Përkujtimore me në Reçak.

Me 15 janar të vitit 1999, forcat ushtarake e policore serbe në fshatin Reçak kishin ndarë meshkujt nga familjet e tyre dhe më pas ata u gjetën të masakruar në afërsi të fshatit në një mal.

Shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadori amerikan William Walker, vrasjen e 45 civilëve të Reçakut e kishte cilësuar si krim kundër njerëzimit.

“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, pati deklaruar Walker.

Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse vendet perëndimore, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për gjetjen e një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars filluan bombardimet përmes forcave veri-atlantike të NATO-s.

Kjo fushatë e detyroi Serbinë të tërheqë trupat nga Kosova, ku me 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Në vazhdimësi autoritetet serbe kanë mohuar masakrën e Reçakut.

Në vitin 2020, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një deklaratë e kishte cilësuar këtë masakër si një ngjarje “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s”.

Ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, duke e dënuar me dy vjet burg, për një deklaratë që e kishte bërë në vitin 2018, kur masakrën e Reçakut e quajti “trillim”.

Retorika e Beogradit nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe masakrën e Reçakut, ku ajo gjuhë është përsëritur në vazhdimësi nga ana e zyrtarëve serb.

William Walker kishte deklaruar pas asaj çfarë kishte thëne presidenti serb, Vuçiç për të duke shtuar se “Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiç që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviqit”.

Kursse Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ish-ministrit serb, Aleksandar Vulin, pati thënë se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhej në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ndryshe, diplomatit amerikan, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut, të premten iu nda titulli “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Publik “Haxhi Zeka”, në Pejë.

Walker: Nëse bota s’do dëgjonte për Reçakun, Kosova s’do të ishte e pavarur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore