Kosova

22 vjet, Kosova me Polici


22 vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës

Shënimi i 22 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ka nisur me vendosjen e luleve pranë lapidarit të të rënëve.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, në këtë ceremoni solemne, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë nderuar policët që kanë humbur jetën në krye të detyrës, duke thënë se ata janë përgjithmonë frymëzimi, përkushtimi dhe devotshmëria për të vazhduar përpara.

Ky përvjetor ndryshe nga vitet paraprake është organizuar në kushte pandemike. Por, sipas ministrit Sveçla kufizimet për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit kurrsesi nuk e zbehin vlerën e kësaj date.

Në këtë ceremoni janë ndarë medalje, mirënjohje e lëvdata për zyrtarët policor që gjatë këtij viti janë dalluar me punë dhe përkushtim.

6 shtatori i vitit 1999 ishte data kur për herë të parë u hapën dyert e shkollës së policisë në Vushtrri me 176 kadetët e parë, për të filluar trajnimin e tyre e për tu bërë pjesëtarët e parë të policisë së Kosovës.

Ndërsa, tani pas më shumë se dy dekadave, Policia e Kosovës numëron 9 mijë e 180 zyrtarë policor të cilët në çdo moment dhe rrethanë ofrojnë siguri, rend dhe qetësi publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore