Shqipëria

210 mijë fëmijë kanë përfituar nga bonusi i bebes prej 2019-ës


Mbi 210 mijë fëmijë kanë përfituar prej vitit 2019 nga bonusi i bebes.

Këto janë shifrat që ka ndarë kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një publikimi në media sociale, teksa e thekson se këto shifra për përfitimet e bonusit lidhen me periudhën pas vitit 2019, kohë kjo nga e cila u rivendos standardi i bonusit të bebeve.

Bonusi i bebes është një ndihmë që jepet nga janari i viti 2019 për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. Në buxhetin e vitit 2024 për bonusin e bebes janë parashikuar 2.2 miliardë lekë.

Me ndryshimet ligjore në fund të vitit 2023, qeveria ka përjashtuar nga përfitimi i bonusit të bebes familjet e emigrantëve shqiptarë. Kusht për përfitimin e bonusit, është që pas lindjes së foshnjës, prindërit të qëndrojnë 180 ditë në Shqipëri.

Bonusi përfitohet menjëherë nëse prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend dhe përfitohet në dy pjesë nëse prindërit zgjedhin ta regjistrojnë fëmijën e tyre më vonë.

Prindërve u jepet një çek 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë, 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore