Lajme

21 vjet nga 11 shtatori, ende në kërkim të ‘shpagimit’


Më 11 shtator 2001, e gjithë bota do të tronditej nga një sulm terrorist që goditi zemrën e SHBA-ve – World Trade Center.

E gjithë rrjedha e mijëvjeçarit të ri, do të zhbëhej më 11 shtator 2001. Një shpërthim i fuqishëm, u dëgjua fillimisht në World Trade Center të New York-ut. Pak sekonda kaluan, dhe një shtëllungë e stërmadhe tymi u qas nga kulla e parë.

Vetëm pak minuta më vonë, tashmë i filmuar nga kamerat, do të dukej në horizont një avion komercial i fluturimit 175 me linjën United Airlines, u përplas me kullën e dytë, duke vënë në sytë e botës një pamje të tmerrshme frike dhe pasigurie të menjëhershme.

33 minuta më pas, radhën do ta kishte qendra e Ushtrisë Amerikane, Pentagoni.

Një avion i katërt me synim goditjen e Shtëpisë së Bardhë ose Capitol Hill, nuk e arriti dot qëllimin dhe u përplas në një fushë në Pennsylvania.

Paqartësia ishte e madhe në opinionin publik, deri në deklaratën e parë zyrtare, orë pas ngjarjes.

SHBA-të, superfuqia më e madhe e botës, ishin goditur nga një seri sulmesh terroriste.

2977 qytetarë mbetën të vrarë. Mbi 25 mijë të tjerë, u plagosën. Ndërsa fati i botës, do të ndryshonte përgjithmonë.

Sot, 21 vjet më pas, ende të afërmit e viktimave enden proceseve ndaj krerëve që kanë mbetur të Al-Qaeda-s, mes të cilëve, Khalid Sheikh Mohammed, i cili u kap më 1 mars 2003, 18 muaj pas ndodhive në World Trade Center.

Mirëpo, përpjekja e SHBA-ve për ta sjellë atë para drejtësisë ka zgjatur shumë më gjatë. Sipas kritikëve është bërë një nga dështimet më të mëdha të “luftës kundër terrorit”.

Muajin e kaluar ka ardhur edhe pengesa më e fundit, kur seancat paraprake të planifikuara për në fillim të vjeshtës u anuluan. Një tjetër vonesë në një varg zhgënjimesh për të afërmit e afro tre mijë viktimave të sulmit.

Prej kohësh, ata kanë shpresuar që një gjyq do të përfundonte dhe ndoshta do të jepte pyetjet pa përgjigje.

Megjithatë, nëse dënohet në gjyq, Muhamedi mund të përballet me dënimin me vdekje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore